Kosovë, përurohet rruga ndërkufitare me Shqipërinë
Rruga e inauguruar, Gorozhup-Pogaj, është në vlerë prej afër 1 milion euro dhe me gjatësi prej 3,7 kilometra

Prishtinë
Është përuruar rruga ndërkufitare Gorozhup (Has i Prizrenit)-Pogaj, projekt ky në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, transmeton Anadolu.
Në përurimin e kësaj rruge morën pjesë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ushtruesin e detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, prefektin e Qarkut Kukës, Dritan Baji, kryetarin e Bashkisë Has, Miftar Dauti, si dhe deputetë të kuvendeve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Kryeministri Kurti tha se përurimi i kësaj rruge është tejet i rëndësishëm për banorët e kësaj zone, por edhe për turizmin malor e kulturor, të dy republikave të të njëjtit komb, si një arterie vendimtare për qarkullimin e lirë, për shkëmbimet të cilat do të jenë gjithnjë e më të mëdha.
“Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit ekonomik edhe historisë sonë kombëtare”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se pas përfundimit të rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapot, e cila ishte me vlerë prej 2,6 milionë euro, kjo rrugë e inauguruar, Gorozhup-Pogaj, është në vlerë prej afër 1 milion euro dhe me gjatësi prej 3,7 kilometra.
Kryeministri theksoi se lidhja e Kosovës me Shqipërinë, përveç se historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike, dhe, sipas tij, pikërisht kjo rrugë “është një dëshmi për hapat konkretë në drejtimin e duhur”.
Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, u shpreh se para dy vitesh është nënshkruar protokolli i marrëveshjeve për tri rrugë: rrugën Kërstec-Pakishtë-Zapot, rruga e përuruar sot e cila ka ndarë banorët prej shumë kohësh, dhe rrugën Dobrunë-Blinishtë.
Durmishi shtoi se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të vazhdojë bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë edhe për shumë projekte të tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë zonë. Me këtë rast, ai përmendi se një prej projekteve më të rëndësishme është vazhdimi i kësaj rruge prej Pogaj në Kishaj, pastaj Kishaj-Cahan, dhe nga Cahani në Krumë.
Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, tha se në këtë ditë solemne duke inauguruar këtë rrugë, hapet një kapitull i ri në dobi të kombit shqiptar.
Ai theksoi se rruga Gorozhup-Pogaj është më shumë sesa asfalt apo gurë, është një urë që lidh dy fshatra, dy treva, dy anë të një kombi, dhe se ky investim është testament i lidhjes historike dhe shpirtërore, lidhje që ka mbijetuar në shekuj.
Kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, falënderoi kryeministrin Kurti për punën e bërë, duke thënë se sot Hasi ka plotësuar ëndrrën disavjeçare, bashkimin e trojeve hasjane.
Ai tha se bashkërisht “duhet të kontribuojmë që të bashkojmë çdo arterie që bashkohet Hasi i Kosovës me Hasin e Shqipërisë, sepse vetëm në këtë mënyrën hiqen barrierat e vëna vite më parë”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.