Agim Sulaj
09 Korrik 2024•Përditësim: 10 Korrik 2024
Njëzet punëtorë teknikë teknikë të Kuvendit të Kosovës kanë protestuar para këtij institucioni me kërkesë rritjen e pagave për punën e tyre, raporton Anadolu.
Kryetarja e Sindikatës së Punëtorëve Teknik të Kuvendit të Kosovës, Nazife Krasniqi ka deklaruar se është kërkuar rritje pagash nga kompania e cila është kontraktuar për punët teknike në Kuvend, por nuk kanë marrë përgjigje.
"Nuk mund të punojmë për 275 euro, kur duhet edhe të udhëtojmë dhe të hamë dhe këto nuk na mjaftojnë. Ne nuk kërkojmë më shumë, vetëm atë që na takon. Kemi 6 vite që paguhemi kështu, rroga ishte edhe më e ulët. Në 8 vjet na është rritur paga vetëm dy herë me nga 20 euro. Kjo është e papranueshme, kjo është e turpshme", tha Krasniqi.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi tha se paga aktuale e punëtorëve teknikë është 275 euro ndërsa kompania private ku ata punojnë merr 18 mijë euro në muaj nga Kuvendi.
Azemi tha se nuk fajëson Kuvendin, por kompaninë private që ofrojnë shërbime për Kuvendin, derisa theksoi se punëtorët do të ndërpresin shërbimin e tyre, nëse pronari i kompanisë së kontraktuar nga Kuvendi nuk u përgjigjet deri javën e ardhshme.
"Shuma të cilën Kuvendi ia përcjellë kompanisë është 18 mijë euro, shuma të cilën e marrin punëtorët është 6 mijë euro, që do të thotë tre herë më shumë merr buxhet pronari i kompanisë. Sipas llogarive që ne kemi bërë, nëse për 20 punëtorë nga 300 euro (sepse 275 i marrim), bëjnë 6 mijë euro dhe sipas analizave që kemi bërë ne të gjitha shërbimet tjera që shkojnë për letër, shampon, e të tjera, shkojnë 3 mijë euro dhe gjithë ky buxhet, 6 mijë për paga dhe 3 mijë për shërbime tjera, pronari i kompanisë fiton nga ne 9 mijë euro", theksoi Azemi.
Ai ka theksuar se punëtorët teknikë duhet të marrin rreth 500 euro për punën e tyre.
Për këtë çështje, deputetja opozitare nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka akuzuar Qeverinë, duke thënë se ka dështuar të ndryshojë pagën minimale. Ajo tha se Qeveria i ka dobësuar sindikatat dhe nuk po merret me çështje sociale.
Nga korriku i vitit 2023, paga minimale në Kosovë është 264 euro bruto.