Agim Sulaj
09 Korrik 2019•Përditësim: 10 Korrik 2019
Ministria e Financave bashkë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë (BE), kanë prezantuar programin për Reforma në Ekonomi 2020 – 2022, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin që u mbajt të martën në Qeverinë e Kosovës morën pjesë ministri i Financave, Bedri Hamza, udhëheqësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, përfaqësues nga ministri relevante për fushën e ekonomisë si dhe ambasadorë të vendeve të BE-së.
Në takim u shpalosën disa nga udhëzimet e dhëna nga BE rreth procesit të reformave ekonomike në Kosovë që synojnë rritjen e konkurrencës, e krijimin e vendeve të punës në veçanti dhe përmirësimin e strukturës ekonomike në përgjithësi.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se duke u bazuar në një dokument të nxjerrë nga Komisioni Evropian, i cili ka dalë pas dialogut ekonomik dhe financiar në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Kosovës i janë numëruar disa sfida në këtë fushë, por edhe përparime.
“Fjala është për këto sfida: Aktivizimi ekonomik dhe punësimi, sidomos tek femrat dhe të rinjtë si dhe ndërlidhja mes arsimit dhe tregut të punës; formalizimi i ekonomisë dhe shfrytëzimi i potencialit të burimeve të ripërtëritshme dhe kursimeve të energjisë dhe hapja e plotë e tregut të energjisë”, tha Hamza i cili premtoi se fjala kyçe e këtij procesi do të jetë: zbatim.
Ministri Hamza tregoi se në KE në vlerësimin e programit për reforma ekonomike 2019-2021 ka theksuar si progres se Kosova ka fuqizuar kapacitetet për vlerësimin e politikave, parashikimet makrofiskale, planifikimin buxhetor dhe mbikëqyrjen fiskale duke rekrutuar stafin e duhur në Ministrinë e Financave.
Udhëheqësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se raporti nga këndvështrimi i BE-së nuk është vetëm një raport tjetër mirëpo qeverisja ekonomike i përket themelimit të politikave të zgjerimit dhe është prioritet në dialogun BE-Kosovë.
Apostolova tha se zbatimi i reformave ekonomike kërkon jo vetëm kohë dhe punë, por edhe përkushtim të madh politik.
“Pritet nga ju të zbatoni reformat e domosdoshme, që të simuloni zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të krijoni vende pune për qytetarët. Në këtë mënyrë zotimet për këtë vit janë, duke marrë parasysh disa ndryshime: Kosova duhet të prioritizojë shpenzimet publike brenda hapësirës së kufizuar fiskale. Mirëmbajtja e disiplinës fiskale është kryesore duke e përshtatur me të gjitha rregullat fiskale që janë të shkruara në legjislacion, duke ngritur mbikëqyrjen financiare dhe atë të ndërmarrjeve publike”, tha Apostolova.
Apostolova tha gjithashtu se konkurrueshmëria ekonomike e ngecur e Kosovës, aktiviteti i ulët i punësimit dhe prezenca e margjinalizuar e grave në tregun e punës në Kosovë janë disa nga sfidat kryesore dhe rekomandimet e KE-së për Kosovën.