Zylfije Adem Jakupi
30 Maj 2023•Përditësim: 30 Maj 2023
Në Zveçan, komunë në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe, sot është qetë ndërsa ushtarët e KFOR-it sigurojnë qasje në ndërtesën e komunës, raporton Anadolu.
Një kordon i ushtarëve të KFOR-it me pajisje të plota bllokuan qasjen në ndërtesën e komunës dhe u ngrit një gardh metalik. Nuk ka protesta ndërsa qytetarët, kryesisht gra, qëndrojnë anash në grupe të vogla.
Po ashtu shihet se si po pastrohen rrugët pas trazirave të djeshme në të cilat u plagosën 30 ushtarë ndërkombëtarë. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, dje janë arrestuar 5 protestues.
Policia e Kosovës ka njoftuar sot se dje protestuesit, individë/grupe kriminale me dhunën e tyre ekstreme kanë sjellë përshkallëzimin dhe degradimin e situatës së sigurisë në veri të vendit, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përfshirë edhe jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.
"Protestat në tri komunat në veri të vendit, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale. Situata aktualisht konsiderohet e brishtë, por e qetë", thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës, në përputhje me detyrat e saj zyrtare, vazhdon me obligimet e saj për sigurimin dhe zhvillimin e qetë të protestave si dhe bashkëpunimin/koordinimin e aktiviteteve me KFOR-in dhe institucionet përkatëse. Në të njëjtën kohë, njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme.
Nga Policia edhe sot u bëhet thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien në thirrje për protesta të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre.
- Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit: Qytetarët po protestojnë në mënyrë të qetë
Sërgjan Millosavljeviq, ish-kryetar i Kuvendit Komunal të Zveçanit, iu tha gazetarëve se qytetarët po protestojnë në mënyrë të qetë dhe se kërkesat janë të njëjta, që të largohen forcat speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës.
Millosavljeviq gjithashtu kërkoi që kryetarët e rinj të komunave, që sipas tij janë të "rrejshëm", të mos vijnë në ndërtesat komunale.
Ai gjithashtu tha se qytetarët edhe dje kanë protestuar në mënyrë paqësore dhe se duan paqe, por siç u shpreh ai, kjo nuk i ka konvenuar dikujt.
Millosavljeviq theksoi gjithashtu se kërkojnë lirimin e dy bashkëqytetarëve të tyre të cilët u arrestuan dje.
Ai u bëri thirrje qytetarëve në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës që nesër të mblidhen në numër edhe më të madh se dje për të shprehur pakënaqësinë e tyre për situatën e krijuar.