Agim Sulaj
28 Gusht 2023•Përditësim: 29 Gusht 2023
Me rastin e shënimit të 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Qendra Burimore Shumëetnike për Personat e Zhdukur të Kosovës organizoi konferencë me temën “Pse procesi është ende në stagnim”, raporton Anadolu.
Në panelin e kësaj konference morën pjesë familjarë të personave të zhdukur, përfaqësues të Shoqatës “Viktimat e Kosovës” nga Beogradi, ndërsa për të prezantuar punën e tyre u ftuan përfaqësues nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Përfaqësues i shoqatës së familjeve të zhdukura në Kosovë, Bajram Qerkini, tha se Qeveria e Kosovës ka arritur dakordësi në kuadër të dialogut me Serbinë mbi monitorimin e punës për të pagjeturit. Por, Qerkini theksoi se të gjitha dakordimet e Kosovës me Serbinë për punën për të pagjeturit kanë mbetur në letër.
“Se vjen koha të dakordohen, disa marrëveshje dhe disa anekse të nënshkruhen dhe të lihen vetëm në letër, kjo është e papritur. Të gjitha ato kanë shkuar në Bruksel, në nivelin më të lartë, çfarë ka ndodhur atje nuk e dimë mjaftueshëm”, theksoi Qerkini.
Gordana Gjikanoviq nga Shoqata “Viktimat e Kosovës” nga Beogradi, deklaroi se familjet e personave të zhdukur ndajnë të njëjtën dhimbje.
Ajo tha se përveç dhimbjes, ata i lidh edhe pakënaqësia me punën e autoriteteve si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd në kërkimin e të pagjeturve. Gjikanoviq theksoi se është shkatërruese për të gjitha familjet që vetëm dy persona të zhdukur u identifikuan vitin e kaluar dhe ky numër po zvogëlohet ngadalë pas një çerek shekulli.
“Nga viti në vit po bëhen gjithnjë e më pak zhvarrime dhe identifikime, derisa u bë bllokada e plotë e procesit të gjetjes së të zhdukurve. Kjo është shkaktuar nga mosveprimi i Grupit Punues për Persona të Zhdukur Beograd – Prishtinë, të cilin e ka formuar Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, theksoi Gjikanoviq.
Familjet e të pagjeturve, theksoi Gjikanoviq, nuk kanë fuqi të bëjnë presion ndaj politikanëve për zhbllokimin e procesit dhe për këtë arsye kërkojnë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare dhe ambasadat.
Luigj Ndou, nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona te Zhdukur, bëri thirrje ndaj dy qeverive po ashtu që procesi i personave të pagjetur të depolitizohet dhe punimet në këtë proces të intensifikohen.
“Ne kemi dy probleme kryesore. E para është se kemi mungesë të informacioneve të besueshme për varrezat ilegale dhe e dyta problem i mbetjeve njerëzore të paidentifikuara të cilat gjenden në Morgun e Prishtinës”, theksoi Ndou.
Pas konferencës, të pranishmit vendosën lule tek Pllaka Përkujtimore e të Pagjeturve e cila ndodhet pranë Kuvendit të Kosovës, në Prishtinë.
Që nga paslufta e vitit 1999 në Kosovë vazhdon të mos dihet fati i edhe mbi 1.600 personave. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe familjarë të personave që mungojnë, konsiderojnë se moszbardhja e fatit të të zhdukurve po ndodh "për shkak të neglizhencës së autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare për t’i bërë presion Serbisë".