Agim Sulaj
31 Korrik 2023•Përditësim: 01 Gusht 2023
Në Prishtinë është hapur panairi ekspozues dhe ofertues "Marketi i Ndërtimit", ku marrin pjesë kompani të ndërtimit dhe ku qytetarët do të mund të blejnë produkte të ndryshme të ndërtimit me zbritje në çmime, raporton Anadolu.
Ky market ka ftuar kompani unike, ndër më seriozet në tregun vendor dhe rajonal për të promovuar një qasje të re të ofertave për qytetarët. Marketi i produkteve të ndërtimit është bërë me qëllim që të rrisë intensitetin dhe sasinë e shitjes për kompanitë dhe qytetarët të përfitojë nga ofertat dhe propozimet e këtij organizimi.
Banesa, shtëpi, arkitekturë, ndërtim, mobilieri, artikuj betoni, banka, sanitari, shëndetësi e punës, fasada, dyer e dritare, prodhime të tarracave, elektrik, pllaka e parket, ngjyra, ashensorë, prodhime metalike e ndriçim janë disa nga artikujt që do të jenë pjesë e këtij Marketi.
Njëri nga organizatorët e panairit, Abdullah Hasani tha se ky lloj panairi u hap për herë të parë në Kosovë dhe synimi është që ai të bëhet tradicional dhe për çdo vit të rritet.
"Besoj se do t'i kënaqë kërkesat e qytetarëve, me qenë se kërkesë e qytetarëve ka qenë që ofertuesit/bizneset të vijnë me oferta të veçanta në mënyrë që qytetarët të përfitojnë zbritje dhe oferta më të ulëta, ndërsa ndërtuesit dhe produktet tjera që e shoqërojnë ndërtimin të rrisin sasinë dhe intensitetin e shitjes së produkteve të tyre me qëllim që edhe Kosova ta ketë marketin tradicional", theksoi Hasani.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini tha se sektori i ndërtimit i ka vënë në lëvizje edhe sektorët tjerë si atë të ushqimit, të veshmbathjes por edhe të teknologjisë. Ai tha se edhe Kosova, ashtu sikurse vendet në rajon është prekur nga kriza, por, do të duhej që Qeveria të ndërmerrte më shumë reforma në ekonomi.
"Qeveria e vendit do të duhej të jetë më e kujdesshme në reformat ekonomike duke shtuar biznese të përditshme. Por, neve ende na mungojnë investitorë të huaj. Kosova është një treg i mirë, por investitorët e huaj po na mungojnë dhe nisur nga raportet e ndryshme ndërkombëtare del që Kosova duhet të përmirësojë dukshëm besueshmërinë tek investitorët", theksoi Shahini.
Ai shtoi se investitorët e huaj dëshirojnë të shkojnë në vende të sigurta me stabilitet ekonomik dhe politik.
"Marketi i Ndërtimit" mbahet në ditët kur edhe qindra mijëra mërgimtarë janë kthyer në vendlindje për pushime verore.