BALLKANI

Kosovë, hapet “Java për të drejtat e viktimave të krimit”

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se viktimat e krimit në Kosovë ngadalë por sigurt po i realizojnë të drejtat e tyre dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet

Agim Sulaj  | 25.10.2021 - Përdıtësım : 26.10.2021
Kosovë, hapet “Java për të drejtat e viktimave të krimit” Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Është hapur në Prishtinë “Java për të drejtat e viktimave të krimit” me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit” nën organizimin e Kryeprokurorit të Shtetit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në fjalën e tij para të pranishmëve të cilët ishin udhëheqës të institucioneve të larta në vend, prokurorë, gjykatës dhe përfaqësues të institucioneve, tha se Republika e Kosovës është prijëse në rajon sa i përket mbrojtjes së viktimave.

Ai tha se viktimat e krimit në Kosovë ngadalë por sigurt po i realizojnë të drejtat e tyre dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet, megjithëkëtë, ai tha se janë të vetëdijshëm që ende duhet punë për të parandaluar abuzimet, dhunimet dhe keqtrajtimin ne viktimave të dhunës.

Lumezi tha se përkushtimi i Prokurorisë duhet të jetë në koordinim me institucionet ligjzbatuese. Ai tha se rrethanat e krijuara nga pandemia e COVID-19 krijuan vështirësi për institucionet ligjzbatuese, por, sipas tij, shërbimet për viktimat nuk kanë pushuar as në këtë periudhë.

“Gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1.584 raste të viktimave në total, prej tyre 1.396 ishin dhunë në familje. Ndërsa janë paraqitur edhe 445 kërkesa për urdhër mbrojtjeje dhe 36 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente”, tha Lumezi i cili u bëri thirrje prokurorëve dhe mbrojtësve të viktimave që t’i mbrojnë viktimat sa herë ata trokasin në dyert e tyre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se duhet rritur efikasitetin në sundimin e ligjit për një shoqëri pa dhunë.

Osmani tha se statistikat e fundit rreth dhunës, sidomos ajo me bazë gjinore, janë të frikshme dhe nevojitet ndëshkim i kryerësve të veprave penale.

“Më 2019 dhe 2020 janë 9 gra që kanë pësuar me jetë nga dhuna e shkaktuar nga burrat. Deri në shtator të këtij viti janë edhe 3 gra të tjera viktima, teksa në polici deri në këtë periudhë janë raportuar mbi 1.500 raste të dhunës ndaj grave, dhunës mbi baza gjinore”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, një gjë është e padiskutueshme dhe e pakompromis në këtë aspekt, ajo që, mosndëshkueshmëria e krimit kërkon zero tolerancë. Ajo tha se nëse heshtet para padrejtësive, kjo gjë do të nxisë edhe më shumë ata që kryejnë vepra penale dhe do t’i dekurajojë ata që janë viktima.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila theksoi se në gjashtë muajt e fundit ka pasur 22 raste të viktimave të krimit, tha se do të angazhohet maksimalisht për mbrojtjen e viktimave nga kjo lloj dukurie.

Sipas ministres Haxhiu, viktimë e krimit mund të jetë kushdo megjithatë si ministre e drejtësisë është e shqetësuar me rritjen e numrit të viktimave gra dhe fëmijë.

Haxhiu tha se vetëm duke u angazhuar institucionalisht me bashkëpunim ndërinstitucional mund t’i nxisin qytetarët të raportojnë dhunën.

“Nuk mund të kemi asnjë sukses nëse funksionojmë të ndarë.Vetëm një hallkë institucionale të mos funksionojë, atëherë dështojmë t’i mbrojmë qytetarët tanë”, tha Haxhiu, duke theksuar se rastet më të rënda janë ato kur ndodhin për shkak të mosveprimeve institucionale.

Sesionet e javës për të drejtat e viktimave të krimit do të mbahen online nga data 26 deri më 29 tetor, ku do të diskutohen tema të ndryshme, si ”Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër dhunës në familje”; “Konfidencialiteti dhe ruajtja e privatësisë së viktimave të krimit”; “Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër trafikimit të njerëzve” dhe “Trajtimi i kryesve të dhunshëm me varësi nga droga, alkooli dhe me probleme të shëndetit mendor”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın