Agim Sulaj
26 Prill 2021•Përditësim: 27 Prill 2021
Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë kritikuar Qeverinë për mossukses lidhur me menaxhimin adekuat të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Nëpërmjet një seance të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), u theksua se qytetarët e Kosovës po përballen me vështirësi të shumta ekonomike e shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, ndërsa për këtë sipas tyre Qeveria nuk e ka menaxhuar si duhet situatën.
Uran Ismaili, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha se xhepi i qytetarëve është zbrazur në përballje me pandeminë.
Ai tha se qytetarët janë duke u përballur me shumë vështirësi pa asnjë ndihmë nga Qeveria, teksa theksoi se situatë jo e mirë në vend është edhe sa i përket vaksinimit.
"Në Kosovë patëm një episod të shkurtë vaksinimi. Në mungesë të tyre, tash e disa ditë qendra e vaksinimit në Prishtinë është mbyllur. Jemi kryeqyteti i vetëm në Evropë që nuk kemi vaksinim aktiv. Më e keqja, kemi një heshtje totale nga Qeveria e Kosovës për problemin e vaksinimit. Sot, Qeveria nuk përgjigjet as në çështje tejet të thjeshta. Sa vaksina na nevojiten neve në Kosovë. Me një llogaritje të thjeshtë nëse marrim personat mbi 18 vjeç, Kosova ka nevojë për 2 milionë e 500 mijë vaksina në mënyrë që të vaksinohet gjithë popullata e Kosovës", theksoi Ismaili.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, theksoi se pandemia nuk është vetëm çështje shëndetësore, por edhe e arsimit, infrastrukturës, e politikës së jashtme.
Abdixhiku tha se në Kosovë çdo dy orë një qytetar vdes për shkak të pandemisë, ndërsa për këtë ai kritikoi kryeministrin Kurti për "mungesë të shfaqjes së ndjeshmërisë".
"Kur çdo dy orë një kosovarë të vdesë, kryeministri i tyre dhe i yni, ka vendosur të bëjë fushatë në Shqipëri. Në dy javë ditë kohë, ky kryeministër ka vizituar Shqipërinë katër herë, e Qendrën Infektive këtu, repartet përreth të mbushura me 975 pacientë, shumica me gjendje të rëndë as edhe një herë. I bëj thirrje që ta bëjë këtë vizitë sa më parë. Të kuptojë nga afër gjendjen e njerëzve tanë, pacientëve, mjekëve dhe të tjerëve që përballen me këtë krizë", theksoi ai.
Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollqaku, theksoi se opozita duhet t’ia adresojë shqetësimet e saj LDK-së e cila udhëhoqi me Qeverinë së fundi dhe trashëgoi, sipas saj, gjendjen jo të mirë me pandeminë e COVID-19.
Ajo tha se kapacitetet buxhetore në Kosovë janë të limituara dhe do të duhet shumë mund dhe djersë që të dilet nga situata aktuale.
"Vaksina nuk do ta zgjidhë problemin. Ne e dimë që edhe kapacitetet buxhetore janë të limituara. Siç jemi informuar nga ministri, ashtu siç e ka gjetur situatën, besoni që vërtetë do të duhet shumë mund dhe djersë që të dalim nga kjo situatë", theksoi Kollqaku.
Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë, vaksinimi është pezulluar më 23 prill, për shkak se dozat e parapara për vaksinim u dhanë të gjitha, ndërsa sipas Ministrisë së Shëndetësisë në komuna tjera ku ka ende doza të pa administruara vaksinimi do të vazhdojë deri në dhënien e të gjitha dozave në dispozicion.
Deri tani, me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca janë vaksinuar 22.096 persona nga 24 mijë dozat e para të ardhura në Kosovë përmes mekanizimit COVAX.
Në Kosovë deri më tani nga 104.196 mijë të infektuar me COVID-19 janë shënuar 2.140 viktima ndërsa nga ky virus janë shëruar 91.972 pacientë.