Agim Sulaj
27 Maj 2021•Përditësim: 28 Maj 2021
Autoritetet shëndetësore të Kosovës kanë pranuar sot 100.620 doza të vaksinës Pfizer nëpërmjet aleancës Gavi të programit COVAX, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, që nga arritja e 24 mijë dozave të para të vaksinës në fund të muajit mars, të cilat u pasuan nga 38 mijë e 400 doza të tjera që arritën dy javë më parë, dhe 15 mijë doza që janë dorëzuar deri më tani nga Mekanizmi i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ekipet e vaksinimit në gjithë vendin kanë vaksinuar grupet prioritare dhe qytetarët me sëmundje kronike siç përcaktohet në Planin shtetëror të Vaksinimit.
“Vaksinimi është mjeti thelbësor dhe shpresa më e mirë për t'i dhënë fund pandemisë COVID-19. 100.620 vaksinat e siguruara përmes COVAX-it janë një hap i rëndësishëm për të ndjekur planin e vaksinimit me ritme të shpejta dhe pandërprerë, sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë”, ka shkruar Ministria e Shëndetësisë.
Tutje, ministria ka tërhequr vëmendjen se pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar ende, ndërsa ka bërë thirrje të vazhdohet me masat e parandalimit të përhapjes së virusit: mbajtjen e maskave, distancën fizike dhe higjienën.