Kosova i vendos sanksione Rusisë
"Miratimi i sanksioneve është në përputhje me sanksionet e SHBA-së dhe Këshillin e BE-së ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës", tha kryeministri Kurti

Prishtinë
Qeveria e Kosovës sot në një mbledhje i ka vendosur sanksione ekonomike dhe financiare Federatës së Rusisë, një ditë pasi kjo e fundit filloi agresionin ndaj Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pushtimi rus tashmë me pasoja tragjike përveçse sulm ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës dhe popullit të Ukrainës është edhe sulm ndaj demokracisë dhe lirisë.
Kurti tha se miratimi i sanksioneve është në përputhje me sanksionet e SHBA-së dhe Këshillin e Bashkimit Evropian ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
“Kjo nuk është hera e parë që Republika e Kosovës, duke qenë e rreshtuar me botën demokratike i vë sanksione Federatës Ruse por është hera e dytë. Në të dyja rastet sanksionet janë vënë për shkak të agresionit dhe atë ndaj Ukrainës, dëshmi që kjo Rusi që po e shohim sot nuk është një Rusi e re, por, edhe paralajmërim se ajo nuk synon të jetë e re. Në fakt ajo dëshiron prapë të jetë e vjetër madje të bëhet edhe më e vjetër se Bashkimi Sovjetik, pra të bëhet Perandori Ruse”, tha Kurti.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla tha se është e rëndësishme që edhe Kosova t'u bashkohet vendeve demokratike për sanksione dhe masa që dënojnë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Ajo tha se agresioni masiv dhe i paprovokuar ndaj Ukrainës është një nga rreziqet më të rrezikshme që i është bërë sigurisë evropiane dhe ndërkombëtare në dekadat e fundit.
Për këto arsye, MPJD, propozoi para kabinetit qeveritar shqyrtimin dhe miratimin e zbatimit të sanksioneve ekonomike dhe financiare të përcaktuara nga Këshilli i BE-së dhe SHBA-ja, të cilat u miratuan më pas nga kabineti qeveritar.
“Sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i qasjes së tyre në tregje financiare dhe masa të tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe aktorët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për invazionin rus në Ukrainë. Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit, apo transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione”, theksoi ministrja Gërvalla.
Gërvalla shtoi se duke pasur për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e paqes, marrja e një vendimi të tillë do të kontribuonte në bashkëpunim me SHBA-në, BE-në dhe partnerë të tjerë në mbrojtje të vlerave demokratike dhe ruajtje të konventave ndërkombëtare.
Duke sfiduar kërcënimet e sanksioneve nga Perëndimi, Moska në fillim të kësaj jave njohu zyrtarisht si vende të pavarura rajonet e Ukrainës lindore, Donetsk dhe Luhansk, pas çka dje nisi një operacion ushtarak në Ukrainë.
Tensionet filluan të përshkallëzohen në fund të vitit të kaluar kur Ukraina, SHBA-ja dhe aleatët e saj akuzuan Rusinë për grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave në kufirin me Ukrainën.
Ata theksuan se Rusia po përgatitej të pushtojë fqinjin e saj perëndimor, akuza që vazhdimisht u refuzuan nga Moska.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.