Kosovë, kabineti qeveritar miraton Programin Qeverisës
Kurti duke folur për marrëdhëniet me shtetet tjera që do t’i ketë Qeveria e Kosovës, theksoi se do të bashkëpunojnë ngushtë me Shqipërinë, ndërsa do të shtrohet padi ndaj Serbisë për gjenocidin në Kosovë

Prishtinë
Kabineti qeveritar i Kosovës ka miratuar programin qeverisës për mandatin katër vjeçar 2021-2025, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se menaxhimi i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe lehtësimi i pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia janë dy prej prioriteteve që Qeveria do t’i ketë gjatë mandatit të saj.
Kurti ka thënë se shumë shpejtë do të sigurohen edhe vaksina të reja, në mënyrë që deri në fund të vitit të vaksinohen 60 për qind e popullit.
“Programi Qeveritar ka dy prioritete urgjente, e që të dyja lidhen me pandeminë. E para me shëndetin në kushtet e pandemisë dhe e dyta me ekonominë sërish në kushte të pandemisë. Pra i kemi edhe pasojat në shëndetin publik që duhet t’i menaxhojmë por gjithashtu edhe pasojat ekonomike dhe sociale të cilat e kërkojnë një mobilizim të përgjithshëm shtetëror”, theksoi Kurti duke thënë se prioritet në këtë aspekt është sigurimi i vaksinave.
Në aspektin ndërkombëtar kryeministri Kurti tha se Qeveria do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu për anëtarësim në Kartën e Adriatikut. Marrëdhëniet e shkëlqyera me NATO-n dhe BE-në si dhe SHBA-në, u përmendën po kështu si prioritet i ekzekutivit.
Duke folur për marrëdhëniet që do t’i ketë Qeveria e Kosovës me shtetet tjera, Kurti theksoi se do të bashkëpunojnë ngushtë me Shqipërinë, ndërsa do të shtrohet padi ndaj Serbisë për gjenocidin në Kosovë.
“Ne me ministren e drejtësisë dhe me këshilltarët e mi kemi filluar punën për përgatitjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë, për periudhën e luftës së fundit. Me këtë rast, do t’ju njoftojmë kur do t’i kemi të qarta afatet e këtyre përgatitjeve të cilat janë gjigante, sepse një rast i tillë as nuk guxon as nuk mundet as nuk duhet të humbet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, theksoi Kurti.
Ai gjithashtu ka thënë se gjatë mandatit qeverisës synojnë që të mos ketë asnjë qytetarë në varfëri ekstreme, "sepse do të reformojnë skemat sociale dhe aktivizojnë fuqinë punëtore”.
I gjithë kabineti qeveritar ka votuar pro programit qeverisës, përveç ministrit nga minoriteti serb Goran Rakiç i cili tha se nuk do të votojë planin qeveritar për shkak që nuk e ka marrë me kohë materialin në gjuhën serbe.
Qeveria me kryeministër Albin Kurtin u zgjodh më 22 mars të këtij viti nga zgjedhjet parlamentare të parakohshme që u mbajtën më 14 shkurt ku partia e kryeministrit Kurti mori mbi 50 për qind të votave. Qeveria e Kosovës ka 15 ministri dhe tre zv/kryeministra.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.