Agim Sulaj
05 Dhjetor 2023•Përditësim: 05 Dhjetor 2023
Përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe përfaqësues të partive politike në vend diskutuan për nevojën e ligjit për lobim në Kosovë, raporton Anadolu.
Tryeza e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me titull “A ka ardhur koha për Ligjin për Lobim?” u organizua në kuadër të Javës Zero Korrupsion e cila po mbahet nga 1 deri më 9 dhjetor.
Shefi për Sundim të Ligjit dhe Seksionin Ligjor nga Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Jarmo Helppikangas, tha se lobimi është një aktivitet mjaft i zakonshëm në sistemet që bazohen në demokraci dhe vendimmarrje të përbashkëta në mënyrë të drejtpërdrejtë me procese që rregullojnë aktivitetet e institucioneve shtetërore.
Ai tha se lobimi është tërësisht legjitim si aktivitet dhe për këtë duhet të ketë forma të caktuara, kod të sjelljes të caktuar dhe mënyrë të caktuar se si duhet të bëhet ai.
“Institucionet duhet të mirëmbajnë dialog të hapur dhe transparent me shoqatat dhe shoqërinë civile, ngase ky është obligim i BE-së dhe është e dobishme për cilindo vend që do t'i bashkohet BE-së. Sikurse e dini, në BE nuk ka shumë vende ku është kryer legjislacioni për këto punë, shumë vende mbajnë këtë me vetërregullim, por ajo që është me rëndësi është që duhet të ketë rregullore me rregulla të qarta”, theksoi Helppikangas.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se në vendet ku ka një praktikë më të gjatë të rregullimit të lobimit, faktori financiar, koha dhe resurset e tjera që mbështesin lobimin janë shumë më të rregulluara.
“Mendojmë se është një proces tepër kompleks, gjithashtu për faktin se ne po flasim në emër të Kuvendit, por sot nismat ligjore janë mbi 90 për qind nga Qeveria e Kosovës, në Kuvend pastaj janë disa mundësi të rregullimit apo amandamenteve të cilat në përmbajtje nuk ndryshojnë shumë”, tha Kusari-Lila.
Deputetja e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, tha se jo të gjitha shtetet e BE-së e kanë të rregulluar me ligj çështjen e lobimit, një pjesë prej tyre e kanë të rregulluar me kornizë të brendshme ligjore.
Ajo përmendi rastin e fundit kur Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) lidhi një kontratë prej 7 mijë e 500 eurove në muaj me një lobues/artist me idenë që ai të avokojë dhe lobojë për Kosovën.
“Kam kundërshtim të madh për faktin se që ne nuk kemi asnjë informatë se si janë shfrytëzuar ato mjete dhe kjo e shton më tepër nevojën për ne ta shohim procesin e lobimit pak më llogaridhënës”, theksoi Deliu.
Së fundmi në Kosovë pati reagime të shumta në opinionin publik për shkak se u bë publike që një artist kosovar i cili u kontraktua nga Ambasada e Kosovës në Bruksel merr pagë prej 7 mijë e 500 eurove si “këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike”.
Duke e arsyetuar këtë shumë, ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, tha se kjo nuk është pagë mujore por është shumë e cila përfshin një projekt njëvjeçar dhe i kontribuon përpjekjeve të Kosovës për të krijuar një ambient tjetër në vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.