BALLKANI

Kosovë, digjitalizohet testi teorik për marrjen e patentë shoferit

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës, Pal Lekaj, tha se digjitalizimi i këtij testi do të “krijojë kritere që shkojnë në siguri të shoferëve dhe qytetarëve”

Agim Sulaj  | 03.07.2019 - Përdıtësım : 04.07.2019
Kosovë, digjitalizohet testi teorik për marrjen e patentë shoferit Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Për herë të parë në Kosovë është lansuar E-Testimi, apo testimi teorik i digjitalizuar për marrjen e patentë shoferit, raporton Anadolu Agency (AA).

Aplikacioni i lansuar i cili u përdor për herë të parë sot nga kandidatët që iu nënshtruan testit, proces që u ndoq nga ministri Pal Lekaj, u tha se do të kontribuojë në lehtësimin tek kandidatët dhe transparencës edhe më të madhe të të gjithë procesit.

Menaxheri i projektit, Naim Kelmendi, tregoi se projekti ka kaluar nëpër disa faza, ndërsa sot fillohet me fazën pilot, ku testohet për herë të parë aplikacioni dhe nëse ka diçka që nuk do të shkojë si duhet do ta përmirësojnë ku më pas do të shtrihet në gjithë Kosovën. 

“Aplikacioni për të gjithë kandidatët gjeneron pyetje në mënyrë elektronike dhe për të gjithë kandidatët pyetjet janë unike. Pas përfundimit të provimit të gjithë kandidatët do ta kenë rezultatin të gjeneruar nga sistemi. Mirëpo, më lejoni të them se sistemi është më i gjerë. Është menduar digjitalizimi i gjithë procesit, pajisjes së kandidatit me patentë-shofer, prej momentit kur kandidatët regjistrohet në auto-shkollë deri në momentin kur pajiset fizikisht me patentë-shoferë”, tha ai. 

Ministri Lekaj tha se me implementimin e këtij aplikacioni, po fillohet me një standard evropian që lidhet me sigurinë e qytetarëve. 

“I falënderoj të gjithë ata që kanë punuar në këtë drejtim dhe sot të jemi bashkë t’i japim një të mirë këtyre kandidatëve. Një standard që e ka Evropa, që ka filluar në kohë dhe t’iu themi qytetarëve që këtu jemi për të krijuar kritere që shkojnë në siguri të shoferëve por edhe qytetarëve”, tha Lekaj. 

Digjitalizimi i testit teorik për patentë-shoferë ka filluar si proces nga viti 2017, ndërsa Lekaj tregoi se ai ka kushtuar rreth 240 mijë euro. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.