Fatjon Cuka
14 Shtator 2021•Përditësim: 14 Shtator 2021
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka filluar vizitën e saj në Shqipëri, ku është pritur me ceremoni shtetërore nga zyrtarë të lartë të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Fillimisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës "Nënë Tereza", Merkel është pritur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, dhe zyrtarë të tjerë.
Ndërkohë, ceremonia zyrtare e pritjes me nderime të larta shtetërore për kancelaren Merkel është organizuar në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku i pranishëm përveç kryeministrit Edi Rama ishin edhe ministra të kabinetit qeveritar dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.
Rama dhe Merkel kanë realizuar një takim kokë më kokë dhe më pas do të mbahet takimi bilateral mes dy delegacioneve, ku të planifikuara janë diskutime që lidhen me çështjet e politikës ekonomike dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, por edhe çështje që lidhen me përafrimin me Bashkimin Evropian (BE).
Gjithashtu në Tiranë janë planifikuar bisedime dypalëshe me krerët e qeverive të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi.
Në fund të takimeve, kryeministri Rama dhe kancelarja Merkel do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.