BALLKANI

Hristijan Mickoski rizgjidhet kryetar i VMRO-DPMNE-së

“Jo vetëm që u rizgjodha kryetar i VMRO-DPMNE-së, por sot fitoi ideja. Fitoi rruga që po ndjekim për Maqedoninë. Nderi është i madh dhe detyrimi dhe borxhi ndaj detyrës së caktuar janë edhe më të mëdha”, tha Mickoski

Abdulbesar Ademi  | 06.12.2025 - Përdıtësım : 06.12.2025
Hristijan Mickoski rizgjidhet kryetar i VMRO-DPMNE-së Foto: VMRO-DPMNE

Shkup

Hristijan Mickoski për herë të tretë është rizgjedhur nga delegatët në kongresin e 18-të të partisë për të udhëhequr VMRO-DPMNE-në për katër vitet e ardhshme, transmeton Anadolu.

Sipas statutit të VMRO-DPMNE-së, udhëheqja e partisë nga Mickoski në katër vitet e ardhshme do të jetë mandati i tij i fundit.

Kryetari i komisionit zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, Zoranço Jovançev, njoftoi se nga 817 delegatë të pranishëm, 804 votuan dhe mbështetën mandatin e ri të Mickoskit.

Në kongresin e mbajtur në Kavadar, nën moton “Vizioni që ndërton shtet - Për brezin e ardhshëm 2030", ata rizgjodhën Mickoskin si kryetar të partisë, i cili ishte kandidati i vetëm për këtë post.

Pas numërimit dhe shpalljes së votave, Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, mbajti një fjalim para të pranishmëve, duke deklaruar se ai nuk fitoi vetëm rizgjedhjen, por sot “fitoi ideja për rrugën që po e përcaktojmë për Maqedoninë”.

“Jo vetëm që u rizgjodha kryetar i VMRO-DPMNE-së, por sot fitoi ideja. Fitoi rruga që po ndjekim për Maqedoninë. Nderi është i madh dhe detyrimi dhe borxhi ndaj detyrës së caktuar janë edhe më të mëdha”, tha Mickoski.

Sipas tij, "vendosmëria për të dalë nga rrethi i frikës, përçarjeve, ambicieve të ulëta dhe zakoneve politike që po e tërhiqnin vendin prapa është konfirmuar dhe forcuar pa mëdyshje".

Ai tha se "Maqedonia është mësuar për shumë kohë të shohë veten përmes syve të të tjerëve dhe sipas pritjeve të të tjerëve”, duke shtuar se doktrina dhe strategjia një premtim për kombin për të arritur në një version të Maqedonisë me të cilin "nuk do të ketë kompleksin e një vendi të vogël, por dinjitetin e një qytetërimi të vjetër".

Doktrina dhe strategjia e partisë 2025-2030, theksoi ai, janë korniza që duhet të stabilizojë dhe evropianizojë vendin dhe ta bëjnë atë konkurrues pa humbur vertikalen e tij shpirtërore.

“Nuk është një dokument i zakonshëm. Është një marrëveshje kombëtare dhe korniza që e vendos Maqedoninë në të ardhmen evropiane pa humbur vertikalen e saj historike. Dhe ju premtoj askush nuk do ta shkelë atë marrëveshje. As unë, as qeveria, as kushdo që mban përgjegjësi”, tha Mickoski.

Lideri i VMRO-DPMNE-së në fjalën e tij gjithashtu theksoi nevojën për t’u dhënë mundësinë e duhur të rinjve, që duhet të varet vetëm nga kapacitetet dhe aftësitë e tyre. Ai theksoi rëndësinë e përmirësimit të arsimit si çelës për daljen nga varfëria dhe për zhvillimin e ekonomisë, si dhe mbështetjen e kompanive vendore si “kurrizi i ekonomisë”.

Mickoski gjithashtu theksoi sfidën demografike të vendit dhe rëndësinë e masave sistematike për të rritur lindshmërinë dhe fuqinë punëtore. Ai bëri thirrje për një qasje të gjatë afatgjatë, duke u fokusuar jo vetëm në katër vitet e ardhshme, por në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut për 40 vite.

“Kemi një detyrë të vështirë për të luftuar kundër zhdukjes sonë si shtet dhe popull dhe kjo është demografia dhe niveli i ulët i lindjeve”, u shpreh ai.

Ai tha se dobësitë e Maqedonisë së Veriut nuk kanë qenë për shkak të mungesës së kapaciteteve, por të ambicieve të vogla dhe politikanëve që kanë menduar vetëm për të ardhmen e tyre afatshkurtër.

Kryeministri i vendit e mbylli fjalën e tij para delegatëve duke theksuar se në këtë mandat të fundit të tij, ai nuk do të punojë për t’u bërë president i vendit, por për të krijuar një gjeneratë që do të jetë më e mirë se ai dhe më e mirë për Maqedoninë e Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.