Zylfije Adem Jakupi
24 Qershor 2020•Përditësim: 24 Qershor 2020
Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se beson në pafajësinë e presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi ngritjen e një aktakuze ndaj tyre për krime lufte, transmeton Andolu Agency (AA)
Haradinaj ka shkruar në profilin e tij në Facebook se "Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit".
"Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër, rezultat i së cilës ishte liria dhe themelimi i Republikës së Kosovës. Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Thaçi, kryetarit Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë", ka thënë Haradinaj.
Si një nga komandantët e UÇK-së, Haradinaj u lirua dy herë nga akuzat për krime lufte përpara gjykatës së Hagës.
Ndërkaq, Isa Mustafa, ish-kryeministër dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka shkruar se "Besoj thellë se lufta e UÇK-së ishte dhe do të konfirmohet nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë dhe pastër, se luftëtarët e UÇK-së luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb".
Ndryshe, ZPS sot i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) aktakuzë prej dhjetë pikash në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe persona të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat vrasje të paligjshme, zhdukje të detyruar të personave, përndjekje dhe tortura”
Në aktakuzë thuhet se Thaçi, Veseli dhe të dyshuar të tjerë, janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, ndërsa këto krime sipas të njëjtit burim, përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë, romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë të tyre.
“Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë. Ato kanë seli në Hagë të Holandës, ndërsa personeli i tyre është ndërkombëtar.