Agim Sulaj
23 nëntor 2023•Përditësim: 24 nëntor 2023
Pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë, ka marrë vendim të përkohshëm lidhur me komunikimin dhe vizitat për tre të paraburgosurit Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, transmeton Anadolu.
Siç njofton Gjykata Speciale, kufizimet do të jenë në fuqi përkohësisht, deri në momentin kur Trupi Gjykues të lëshojë vendimin e plotë në lidhje me themelësinë e kërkesës së ZPS-së.
“Trupi Gjykues ka vendosur se këto kufizime janë të përshtatshme, duke pasur parasysh rrezikun e nxjerrjes së paligjshme të informacionit konfidencial nga objekti i paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Hetimet e Prokurorisë së Specializuar, sipas njoftimit, kanë zbuluar përpjekje të mëtejshme për të penguar procedurat nga të akuzuarit, pasi pretendohet se kanë biseduar me vizitorë duke i udhëzuar ata të bisedojnë me dëshmitarët potencialë, dhe t’iu tregojnë atyre çka të flasin.
Për këto arsye, Prokuroria ka kërkuar që Thaçit, Veselit dhe Selimit t’u pezullohen të gjitha komunikimet, përfshirë vizitat familjare fizikisht apo përmes Zoom, telefonatat dhe komunikimet me shkrim.
Prokuroria ka kërkuar që vizitat e privilegjuara të kufizohen vetëm për ekipin e avokatëve duke kërkuar madje që tre të akuzuarit, Thaçi, Veseli dhe Selimi të ndahen nga të paraburgosurit e tjerë që janë në Qendrën e Paraburgimit aktualisht.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, bashkë me ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, ngarkohen me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu, kundër secilit prej tyre janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Në aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të cilët gjenden në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, janë shprehur të pafajshëm rreth akuzave që rëndojnë mbi ta, që në seancat e para.