Forca e Sigurisë së Kosovës merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26”
FSK-ja ka zbarkuar në Gjermani, në "Grafeneohr Training Area", me kapacitetet e veta logjistike, duke përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin
Prishtinë
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i këmbësorisë me një togë të mortajave, është duke marrë pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26” në Gjermani, i organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë, transmeton Anadolu.
FSK-ja njofton se ushtrimi fushor "Dynamic Front" është një ushtrim shumëkombësh që teston ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO-s dhe ushtrive partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt.
Këtë vit, ushtrimi është realizuar paralelisht në pesë shtete: Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi.
FSK-ja ka zbarkuar në Gjermani, në "Grafeneohr Training Area", me kapacitetet e veta logjistike, duke përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin.
“Kontingjenti i FSK-së ka vepruar bashkëngjitur me Regjimentin 4-319 të Artilerisë Fushore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Togu i mortajave, me elementët e tij përbërës – Vijën e Zjarrit, Qendrën e Drejtimit të Zjarrit dhe Vëzhguesit e Përparmë – si dhe me mortaja 120 mm, ka realizuar qitje mbi objektiva në koordinim me Ushtrinë Amerikane dhe trupat e Ushtrisë Italiane”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Bëhet e ditur se gjatë Ushtrimit Fushor "Dynamic Front 26", FSK-ja ka demonstruar përvojën e saj në qitje me mortaja gjatë ditës dhe natës, si dhe ka shkëmbyer mësime dhe praktika me forcat partnere.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
