BALLKANI

Fondacioni Turk Maarif dhuron pemë për Bashkinë e Tiranës

Kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Birol Akgün, tha se vizioni i sistemit të arsimit i Fondacionit Turk Maarif është që t’u mësojë nxënësve që të jetojnë në paqe dhe harmoni në mjedisin në të cilin gjenden

Fatjon Cuka  | 10.10.2023 - Përdıtësım : 11.10.2023
Fondacioni Turk Maarif dhuron pemë për Bashkinë e Tiranës Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Fondacioni Turk Maarif i është bashkuar nismës së Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve, duke dhuruar selvi për kryeqytetin e Shqipërisë, raporton Anadolu.

Gjatë mbjelljes së pemëve në ambientet e Parkut Zoologjik në Tiranë ishin të pranishëm kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Birol Akgün, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, nxënës të shkollave të Fondacionit Maarif në Shqipëri dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Ndërkohë, Akgün vizitoi edhe kampusin qendror të Universitetit New York Tirana (UNYT), universitet i Fondacionit Turk Maarif, ku së bashku me stafin drejtues të universitetit mbollën pemë në ambientet e UNYT-së.

Në një prononcim për Anadolu, Akgün tha se vizioni i sistemit të arsimit i Fondacionit Turk Maarif është që t’u mësojë nxënësve që të jetojnë në paqe dhe harmoni në mjedisin social dhe fizik në të cilin gjenden.

"Sot në aktivitetin e përbashkët që bëmë me Bashkinë e Tiranës bashkë më nxënësit tanë u realizua një ceremoni për mbjellje të pemëve. Ky aktivitet u realizua si pjesë e edukimit të liderëve të përgjegjësisë sociale në ndërgjegjësimin ndaj mjedisit për të krijuar një qytet me mjedis më të gjelbër, më të jetueshëm dhe më të qëndrueshëm. Në projekte të tilla, në fusha të përbashkëta me Bashkinë Tiranë si dhe me organizata joqeveritare ne duam që nxënësit tanë të përfitojnë eksperienca praktike", tha Akgün.

Akgün theksoi se duke qenë se janë një institucion që edukon brezat e të ardhmes, dëshirojnë t’u mësojnë fëmijëve se si mund të jetohet në një ambient apo qytet më të gjelbër.

"Dua të falënderoj veçanërisht Bashkinë Tiranë dhe partnerët tanë të tjerë për mbështetjen që na kanë dhënë. Shpresoj që shkollat e Maarifit në Tiranë ashtu si në fushën e edukimit, do të jenë lider edhe në përgjegjësinë sociale, por edhe më ndërgjegjësimin ndaj mjedisit. Gjithashtu familjet dhe nxënësit tanë janë shumë të lumtur që bëjnë përpjekjet e tyre për t’u bërë pjesë në të tilla aktivitete", tha Akgün.

Fondacioni Turk Maarif, përveç Universitetit New York Tirana, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, si në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın