Husamedin Gina
20 Nëntor 2019•Përditësim: 20 Nëntor 2019
Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut sot është promovuar ueb-platforma "Financa të hapura", me të cilën, siç u paralajmërua, në shqyrtim të qytetarëve do të jenë transaksionet e dikurshme, të tanishme dhe të ardhshme të shfrytëzuesve të buxhetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ministrja e Financave, Nina Angellovska dhe ministri për Llogaridhënie dhe Transparencë, Robert Popovski, sot promovuan ueb-platformën e re "Financa të hapura".
"Sot është festë për transparencën dhe llogaridhënien në Republikën e Maqedonisë së Veriut", tha Zaev, duke shtuar se para syve të opinionit në ueb-platformën do të vendosen mbi 12,5 milionë transaksione dhe se kjo do të jetë masa më e madhe për uljen e korrupsionit.
"Hapja e thesarit dhe të gjitha të dhënat në të është një nga masat më të mëdha në drejtim të uljes së korrupsionit dhe parregullsive në punën e institucioneve shtetërore si dhe në kursimin e parave të qytetarëve", theksoi Zaev, duke shtuar se me këtë nivel të transparencës dhe llogaridhënies, qytetarët, mediat dhe organizatat civile do të mund lirshëm t’i hulumtojnë pagesat e institucioneve.
Sipas ministres së Financave, Nina Angellovska, platforma do të nxisë shpenzim më të përgjegjshëm dhe më të drejtë të mjeteve buxhetore, për shkak të frikës për kapje në aktivitete ilegale.
"Transparenca është mjeti bazik demokratik. Ajo kufizon manifestimin e fuqisë, nxit shpenzimin më të drejtë dhe më të përgjegjshëm të mjeteve buxhetore të qytetarëve për shkak të frikës nga kapja në aktivitete jolegale. Ky është efekti kthyes i transparencës mbi uljen e korrupsionit", tha Angellovska.
Ministri për Llogaridhënie dhe Transparencë, Robert Popovski, tha se ueb-platforma "Financa të hapura" është hap logjik që ndërmerr Qeveria kur inicoi programin ambicioz për reforma politike dhe demokratike për të kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e sistemit.
"Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet në atë të udhëhiqet nga qëndrimi se të dhënat e hapura mund të jenë nxitje e fuqishme për zhvillim social dhe ekonomik", tha Popovski.
Financat e hapura do të plotësohen me të dhëna të reja çdo 15 ditë.
Në ueb-portalin do të gjenden pagesat e bëra nga ministritë, vetë qeveria, fondet, agjencitë dhe komisionet shtetërore, gjykatat dhe të tjerat, gjithsej 1.105 institucione shtetërore në nivel qendror.