Vesna Besic,Sanela Crnovrsanin
08 Korrik 2021•Përditësim: 09 Korrik 2021
Në komunën Nezuk filloi "Marshimi i Paqes" i cili zhvillohet tradicionalisht në rrugën e përdorur nga civilët boshnjakë përmes pyllit për të mbërritur në "zonën e sigurt" në qytetin Tuzlla për të shpëtuar nga gjenocidi i Srebrenicës 1995 në lindje të Bosnje e Hercegovinës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore për 26-vjetorin e gjenocidit ku njësitë serbe vranë në mënyrë të pamëshirshme të paktën 8.372 civilë boshnjakë, pjesëmarrësit e filluan në komunën Nezuk, marshimin i cili këtë vit mbahet për të 17-tën herë.
Marshimi do të vazhdojë për 3 ditë në rrugën përmes pyllit e cila nga populli njihet si "Rruga e vdekjes" për shkak të masakrave që janë kryer në këtë rrugë në korrik të vitit 1995. Pjesëmarrësit çdo ditë do të përshkruajnë mesatarisht 35 kilometra duke ecur dhe marshimi do të përfundojë më 10 korrik në Varrezën Përkujtimore Potoçari.
Në marshimin e mbajtur këtë vit marrin pjesë rreth 3 mijë persona
Zulfo Salihoviç, kryetari i nënkomitetit të Marshimit të Paqes, në një deklaratë për AA tha se në marshimin e mbajtur këtë vit marrin pjesë rreth 3 mijë persona.
Duke rikujtuar se vitin e kaluar pjesëmarrja në marshim ishte e ulët për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), Salihoviç tha se "Pjesëmarrja sërish e mijëra njerëzve tregon se interesi për Marshimin e Paqes është si më parë".
Ai theksoi se në marshim ka pjesëmarrës edhe nga vende të tjera. "Dëshiroj të theksoj se pjesëmarrja më e madhe e grupeve nga vendet e tjera këtë vit janë turqit. Përveç atyre ka pjesëmarrje edhe nga SHBA-ja, Italia dhe rajoni i Sanxhakut të Serbisë".
"Pjesëmarrësit me moshën më të re janë 9 dhe 11 vjeç"
Pjesëmarrësi në marshim Hariz Dautbashiç tha se ka lindur në Srebrenicë por jeton në qytetin Kakanj. "Në marshim marr pjesë me një grup prej 30 personash. Më të rinjtë janë 9 dhe 11 vjeç. Në mesin tonë kemi edhe 3 vajza. Në marshim marr pjesë që nga viti 2008. Çdo vit bëhet gjithnjë më emocional dhe më i vështirë", shtoi Dautbashiç.
Ai shprehu kënaqësinë e madhe për pjesëmarrjen e të rinjve në marshim.
Ndërsa pjesëmarrësi 11 vjeçar Alem Kadiç tha se në marshimin ku merr pjesë për herë të parë do të ketë vështirësi por që ka besim se do t‘ia dalë.
Edhe 9 vjeçari Eldar Kubat që merr pjesë në marshim me babain e tij tha: "Vij nga rajoni Kakanj dhe është hera e parë që marr pjesë. Nuk besoj se do të kem vështirësi, sepse kam kondicion të mirë për shkak se marr pjesë në stërvitje për taekwondo".
Po ashtu edhe 17 vjeçari Armin Zeliç i cili merr pjesë për herë të tretë në marshim nënvizoi se gjenocidi nuk duhet të harrohet. "Nuk është aspak e lehtë të kalohet në rrugën përmes pyllit të cilën qytetarët e Srebrenicës e kanë përshkuar në vitin 1995", shtoi Zeliç.
Senad Hasanbashiç një pjesëmarrës tjetër që në marshin ka marrë pjesë prej 12 vitesh tha se "Gjatë marshimit kam dëgjuar historitë e atyre që kanë arritur të shpëtojnë me sukses nga gjenocidi".
Në marshimin e udhëhequr nga personat që kanë shpëtuar gjallë nga gjenocidi, pjesëmarrësit bëjnë lutje për viktimat e gjenocidit dhe natën do ta kalojnë në destinacionin e përcaktuar më parë.
Këtë vit do të varrosen 19 viktima
Këtë vit në kuadër të ceremonisë përkujtimore dhe mortore që do të mbahet më 11 korrik do të varrosen edhe 19 viktima të gjenocidit.
Gjithsej 6.652 varre të viktimave të gjenocidit ndodhen në Varrezat Përkujtimore Potoçari në të cilën çdo vit më 11 korrik në përvjetorin e Gjenocidit të Srebrenicës mbahen ceremoni përkujtimore dhe varrimeve masive.
Ushtarët serbë nën komandën e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, pas hyrjes në Srebrenicë më 11 korrik 1995 masakruan dhe varrosën në varre masive mbi 8 mijë boshnjakë civilë. Viktimat që nxirren nga varret masive, identifikohen dhe çdo vit më 11 korrik varrosen në varrezën përkujtimore.
Pavarësisht se kanë kaluar 26 vite, ende po kërkohen mbi 1.000 trupa të viktimave.