Arrestohet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Veliaj është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Albania
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar gjatë ditës së sotme pasi është nën hetim për disa vepra penale, transmeton Anadolu.
Në një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) thuhet se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj Veliajt masën e sigurisë “arrest në burg”.
Sipas njoftimit, Veliaj është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në momentin e arrestimit, kryebashkiaku Veliaj ishte në ambientet e Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, ndaj bashkëshortes se krybashkiakut Veliaj, Ajola Xoxe, gjykata ka vendosur masën e sigurisë "arrest në shtëpi", e cila është e dyshuar për korrupsion, pastrim parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Në kudër të këtij hetimi, ndaj disa biznesmenëve është vendosur masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
"Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga shtetasit nën hetim E.V. (me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë) si edhe bashkëshortja e këtij të fundit, A. X., është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë", thuhet në njoftim.
Në Shqipëri janë organizuar për muaj me radhë protesta për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës” dhe me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj.
Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
