Sot 19 vite më parë ka ndërruar jetë kryetari i parë i Presidencës së Republikës së Bosnjë e Hercegovinës, Alija Izetbegoviç, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai ndërroi jetë më 19 tetor 2003 nga një sulm në zemër. Sipas vlerësimeve, në lamtumirën e fundit të Alija Izetbegoviçit kanë marrë pjesë më shumë se 100 mijë persona si dhe një numër i madh zyrtarësh boshnjakë dhe ndërkombëtarë. Supozohet se ky ishte numri më i madh i njerëzve që morën pjesë ndonjëherë në një varrim në Sarajevë.
Alija Izetbegoviç ka lindur më 8 gusht të vitit 1925 në Bosanski Shamac. Ai i përkiste një familjeje të respektuar bejlerësh që jetonte në Beograd dhe që u shpërngul në Bosanski Shamac në vitin 1868. Që në vitin e dytë të jetës së Izetbegoviçit, babai i tij Mustafa, i cili merrej me tregti dhe bankë, vendosi të shpërngulet në Sarajevë, ku mbaroi shkollën fillore dhe të mesmen.
Izetbegoviç u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me tre vjet burg për anëtarësim në organizatën "Mladi Muslimani" (Muslimanët e Rinj), kurse në vitin 1949 ai doli nga burgu.
Pasi la agronominë pas tre vitesh studime, Izetbegoviç u regjistrua në Fakultetin Juridik në Sarajevë, të cilin e përfundoi me sukses brenda dy viteve. Nga viti 1950 deri në vitin 1960, ai punoi si menaxher i kantierit dhe nga viti 1960 deri në 1982, si këshilltar ligjor në kompani të shumta të Sarajevës.
- Gjashtë vite në burg
Në pranverën e vitit 1983 arrestohet dhe në verën e po atij viti, në procesin e montuar të Sarajevës, dënohet me 14 vjet burg, ku i mbajti gjashtë vjet.
Pas daljes nga burgu, në vitin 1990 Izetbegoviç me disa bashkëmendimtarë themeloi Partinë e Veprimit Demokratik (SDA), i cili fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e lira dhe më vonë do të luante një rol kyç në mbrojtjen e Bosnjë e Hercegovinës kundër agresionit. Në krye të shtetit dhe të SDA-së ishte disa mandate.
Më 6 qershor 2000 njoftoi vendimin për tërheqjen e tij nga Presidenca e BeH-së. Ai njoftoi se do të tërhiqet pas përfundimit të mandatit të tij si kryetar i Presidencës së BeH-së më 12 tetor të po këtij viti. Ai refuzoi të kandidonte në Kongresin e Tretë të SDA-së në 2001 dhe u shpall kryetar nderi i partisë.
- Ai ishte autor i një numri të madh veprash publicistike
Izetbegoviç është autor i një numri të madh veprash dhe studimesh publicistike dhe librash: “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, “Problemet e Rilindjes Islame” dhe “Deklarata Islame”. Këto libra janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë botuar në disa vende. Në vitin 1999 botoi librin “Arratisja ime në liri" ndërsa në vitin 2000 librin “Kujtimet” (shënime autobiografike). Veprat e mbledhura të Alija Izetbegoviqit në dhjetë vëllime u botuan në vitin 2004.
Ai është fitues i një sërë mirënjohjesh dhe çmimesh, si çmimi i Mbretit Faisal, medalja e Qendrës për Demokraci të Washingtonit ndërsa gazeta spanjolle me tirazhin e madh "El Mundo" me seli në Madrid në vitin 1995 zgjodhi Alija Izetbegoviçin si personin e vitit në botë.
Në vitin 1997, Universiteti Marmara i Stambollit i dha titullin doktor nderi i shkencave juridike për kontributin e tij në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, vendosjen e paqes dhe si jurist i dalluar. Në forumin në Kran Montana në 1998 ai mori një çmim prestigjioz për avancimin e të drejtave të njeriut.
- Ai gëzonte respekt në gjithë botën
Alija Izetbegoviç u varros në Varrezat e Dëshmorëve Kovaçi në Sarajevë. Në varrimin e tij ishin të pranishëm mbi 100 mijë njerëz nga e gjithë BeH dhe jashtë saj, kurse telegrame ngushëllimi mbërritën nga rreth 100 vende.
Deklarata e Richard Holbrooke, kreatori i Marrëveshjes së Dejtonit, do të mbahet mend: “Po të mos ishte Alija Izetbegoviç, sot nuk do të kishte as Bosnjë e Hercegovinë”.
Kryeministri i atëhershëm dhe presidenti aktual i Republikës së Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, me të dëgjuar lajmin se Alija Izetbegoviç, presidenti i parë i Bosnjë e Hercegovinës dhe një mendimtar i madh, kishte vdekur, tha se ky lajm ka tronditur popullin e tij dhe atë në thellësinë e shpirtit.
"Izetbegoviç ishte një njeri i cili me jetën dhe veprën e tij ndikoi në histori. Misioni i tij është shprehje e nderit njerëzor dhe këmbënguljes mahnitëse, që ishte nderi i gjithë botës. Për vlerat në të cilat besonte, për vendin dhe popullin e tij. Ai është një burim i pashtershëm guximi dhe vlerash të jashtëzakonshme. Unë dhe populli im ndajmë dhimbjen e vdekjes së Izetbegoviçit me popullin vëllazëror të Bosnjë e Hercegovinës", ishte shprehur Erdoğan aso kohe.
Në emër të Qeverisë së Malajzisë, kryeministri i atëhershëm Muhammed Mahathir shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për vdekjen e Izetbegoviçit.
"Presidenti Izetbegoviç ishte një lider i madh i Bosnjë e Hercegovinës, i cili ia kushtoi tërë jetën mirëqenies së popullit të tij si dhe përparimit dhe prosperitetit të tij. Ai ishte gjithashtu një mik i madh i Malajzisë, i cili bëri shumë për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve”, pati deklaruar Mahathir pas lajmit për vdekjen e Izetbegoviçit.
Presidenti i atëhershëm i Kroacisë, Stjepan Mesiq tha se Izetbegoviçi me personalitetin dhe veprimtarinë e tij politike ka shënuar fuqishëm ngjarjet në Bosnjë e Hercegovinë.
“Tërë jetën ia kushtoi veprimtarisë politike dhe nuk u thye as nga vitet e vështira të burgut. Është i padiskutueshëm roli i tij si burrë shteti në luftën dhe vitet e pasluftës në BeH, të asaj periudhe të vështirë për të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. E kam takuar shpesh në konferenca të panumërta paqeje, të cilat, për fat të keq, nuk arritën të parandalonin luftën, dhe ne vazhduam njohjen tonë edhe më vonë kur Bosnjë e Hercegovina arriti të mbahej si një shtet i pavarur", theksoi Mesiç në atë kohë.
Shumë shtetarë të tjerë të botës dhe rajonit si dhe zyrtarë në BeH shprehën admirimin dhe respektin e tyre për punën dhe veprën e Alija Izetbegoviçit gjatë jetës së tij.
- Politikani më i shquar në historinë e fundit të BeH-së
Izetbegoviç ishte padyshim politikani më i shquar boshnjak në historinë e fundit të BeH-së.
Izetbegoviç në Türkiye-n mike quhet "i urti", ndërsa citimet e tij kanë mbetur të gdhendura në kohë dhe shpesh përmendet si shembull i vërtetë i një lideri, humanisti dhe luftëtari të vërtetë për të drejtat e njeriut.
Mesazhet e tij sigurisht që do të mbahen mend si të përjetshme.
Disa nga thëniet e Alija Izetbegoviçit:
“Unë besoj se Zoti i krijoi njerëzit të lirë dhe të barabartë, se nuk ka raca të larta dhe të ulëta, as kombe të mira dhe të këqija. Unë besoj se njerëzit sjellin me vete një sërë të drejtash të patjetërsueshme, se qeveria nuk ka autoritet t'i mohojë këto të drejta, ashtu siç nuk besoj në të drejtat e pakufizuara të shumicës, sepse tirania e shumicës është si tiranitë e tjera. Besoj se masa e lirisë është qëndrimi ndaj pakicave dhe liria e mendimit është mbi të gjitha e drejta për të menduar ndryshe. Kjo është përmbledhja më e shkurtër e të kuptuarit tim për demokracinë”.
“Bosnja nuk është vetëm një copë tokë në Ballkanin kodrinor. Për shumë prej nesh, Bosnja është një ide, një ëndërr e një vendi në kufirin mes botëve, në kufirin e madh midis Lindjes dhe Perëndimit. Ky është një vend i shumë feve dhe kombeve dhe për rrjedhojë edhe një vend i tolerancës, ku secili mund të mendojë dhe të besojë si të dojë, ku nuk duhet të ketë dhunë ndaj njerëzve dhe ku nuk do të ketë padrejtësi. Kjo ishte ëndrra jonë për Bosnjën dhe vetëm një Bosnjë e tillë mund të ekzistojë dhe të mbijetojë”.
“Ne gjithashtu besojmë se njerëzit e feve dhe kombeve të ndryshme mund të jetojnë së bashku në tolerancë dhe paqe. Thonë se kjo është utopi në këto zona. Ne përgjigjemi se është rrugëdalja e vetme njerëzore nga kjo telashe që ka prekur shumë njerëz të pafajshëm të të gjitha besimeve dhe kombeve dhe ne vazhdojmë ta besojmë këtë. Ndërkaq, utopia në të cilën njeriu beson pushon së qeni e tillë”.
“Mendo për hartën e Bosnjë e Hercegovinës dhe thuaj nëse mund të ketë një zgjidhje të mirë dhe të përhershme për të gjithë nëse të drejtat e barabarta nuk vlejnë për të gjithë banorët e saj”.
“Ne nuk fajësojmë kombe të tëra për krime dhe fatkeqësinë. Fajtorë gjithmonë janë vetëm individët, pa marrë parasysh faktin se janë aq të shumtë sa që përbëjnë një komb kriminal për veten e tyre. Faji nuk është kolektiv, është gjithmonë individual”.
“Mendoj se njerëzit duhet të ndahen në të civilizuar dhe barbarë dhe se kjo është e vetmja ndarje e vërtetë. Çdo gjë tjetër është marrëzi fyese”.
“Nuk ka kombe të këqija, ka vetëm udhëheqës të këqinj. Ata që janë fajtorë për fatkeqësinë e Bosnjës do të përgjigjen herët a vonë para Zotit dhe para njerëzve. Askush nuk do të jetë në gjendje t'i shmanget asaj përgjegjësie”.
"Nëse vetëm një kroat ose serb të kishte vdekur duke mbrojtur Sarajevën - dhe jo një, por shumë prej tyre - ne duhet të ngrihemi dhe të bëjmë nderimet tona në mënyrën që i takon".
“Vendi ynë dhe populli ynë ishin të dënuar me shkatërrim. Vetë mbijetesa jonë është fitorja jonë”.
news_share_descriptionsubscription_contact
