Admir Fazlagikj
12 Korrik 2017•Përditësim: 13 Korrik 2017
SHKUP (AA) – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev, i cili merr pjesë në Samitin e katërt të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Trieste, Itali, thea se për Maqedoninë kjo është një ngjarje e rëndësishme. Zaev theksoi se Samiti në Trieste, flet për perspektivat e mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Unë jam shumë i lumtur për shkak se të gjitha këto takime që zhvillohen këtu, lënë përshtypje serioze se ka perspektivë të shkëlqyeshme evropiane për Republikën e Maqedonisë dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Porositë që këtu i marrim, si dhe që i përcjellim se do ta mbështesim tërë këtë proces, do të bashkëpunojmë që të mund të përparojë rajoni, sigurisht flet vetvetiu, por edhe për perspektivat ndaj Bashkimit Evropian”, deklaroi Zaev.
Ai shtoi se takimet të cilat mbahen në kuadër të samitit, jo vetëm që do të rrisin komunikimin, lidhjen, transportin, bashkëpunimin, ekonominë, mes të gjitha këto vende, por, theksoi se beson që do të dërgojnë sinjal shtesë drejt institucioneve evropiane, që theksi i Evropës gjithnjë e më shumë të jetë drejt vet rajonit, duke e mbështetur atë, për t’u afruar drejt vlerave të cilat Evropa Perëndimore i njeh.
“Vetëm në këtë mënyrë do të përshpejtohen të gjitha proceset drejt integrimit të plotë të Republikës së Maqedonisë në BE", tha Zaev.
Ai sot në Trieste u takua edhe me kryeministrat e Shqipërisë dhe të Serbisë, Edi Rama dhe Ana Bërnabiq, me të cilët bisedoi për marrëdhëniet bilaterale të Maqedonisë me këto vende, mënyrat për avancimin e tyre si dhe për çështjet aktuale të rajonit.