Nazmi Abduramani
01 Mars 2017•Përditësim: 02 Mars 2017
SHKUP (AA) – Kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Zoran Zaev, vendimin e presidentit të shtetit Gjorge Ivanov për të mos dhënë mandatin për formimin e Qeverisë, për të cilën, siç u shpreh, është i obliguar sipas Kushtetutës së Maqedonisë, ka kryer grusht shteti, dhe kërkoi tërheqjen e vendimit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ai këtë deklaratë e bëri në konferencën për media ku mes tjerash u shpreh se Presidenti Ivanov po e fut Maqedoninë në krizë të thellë me pasoja të paparashikueshme për qytetarët dhe shtetin.
“Ai ka shkaktuar krizë kushtetuese-shtetërore me atë që mohon vullnetin e shumicës së qytetarëe dhe parashtrimin e 67 firmave të deputetëve të zgjedhur në Kuvendin e Maqedonisë dhe parandalon transferimin legal dhe legjitim të pushtetit”.
Më pas Zaev porositi se “LSDM-ja dhe ai si kryetar nuk do të lejojë askënd që të luajë me ardhmërinë e shtetit për qëllime personale, politike dhe kriminale”.
Ai tha se koncepti i një shteti, që mbështetën shumica e qytetarëve, është garanti i vetëm i unitarizmit të Republikës së Maqedonisë. Më pas u bëri thirrje qytetarëve, që të mos u nënshtrohen kurrfarë provokimeve, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare dhe politike, në vijë të proceseve demokratike, të cilat shpiejnë drejt formimit të Qeverisë së re reformuese në Maqedoni
Ndryshe, presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot deklaroi se, “nuk do të japë mandatin për formimin e qeverisë së re çdo kujt i cili negocion për platforma të vendeve të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënon shtetin unitar, sovrenitetin dhe pavarësinë e saj”.
Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e re të Maqedonisë, nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.