Zülfiya Yakup
24 Janar 2017•Përditësim: 25 Janar 2017
PRISHTINË (AA)- Në qeverinë e Kosovës është mbajtur sot takimi themelues i komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës në të cilin nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e opozitës duke shprehur shqetësimin për siç thanë, humbjen e një pjese të territorit të Kosovës nga marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fillim të takimit, kryeministri Isa Mustafa rikujtoi se me vendim të qeverisë, detyra e këtij grupi është të bëjë matjen e territorit të vendit ashtu siç ka qenë para 25 gushtit 2015, respektivisht para nënshkrimit të marrëveshjes me Malin e Zi.
Opozita kosovare pohon se me marrëveshjen e lartpërmendur, Kosova humb mbi 8000 hektarë tokë të saj.
Kryeministri Mustafa, tha se komisioni është i përbërë nga përfaqësues të organizatave shtetërore të cilat merren me këtë fushë, kryetarët e katër komunave të cilat kufizohen me Malin e Zi, Peja, Istogu, Deçani dhe Juniku, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile bashkë me ekspertë nga rajoni i Rugovës.
Puna e komisionit do të mbikëqyret nga një përfaqësues i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, BE-së dhe KFOR-it, ndërsa në krye të Komisionit është kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami.
Mustafa tha se qeveria do të mbështesë me logjistikë punën e komisionit, dhe se do të miratojë raportin e saj dhe do ta paraqesë atë në Parlament dhe para qytetarëve.
"Mendoj se ky është një hap shumë i rëndësishëm për ne, sepse edhe qytetarët e Kosovës janë të interesuar të dinë saktësisht se cili është territori i Republikës së Kosovës, sepse ka pasur shumë diskutime në këtë drejtim. Edhe komuniteti ndërkombëtar nga ana e tij dëshiron të dijë se çfarë është territori i vendit të cilin e kanë njohur, pasi 113 shtete na kanë njohur”, tha Mustafa.
Pas themelimit të komisionit, kryeministri Mustafa dhe ministrat qeveritarë u larguan nga salla ku mbetën vetëm pjesëtarët e komisionit. Kreu i ASHAK-ut, Hivzi Islami tha se puna e komisionit nuk do të jetë fare e lehtë sepse demarkacioni është çështje e ndjeshme.
“Historia ka qenë e padrejtë ndaj shqiptarëve në Ballkan sa u përket kufijve në fjalë, por padrejtësitë historike nuk mund të korrigjohet, sepse kohët kanë ndryshuar dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në teren janë krejtësisht të ndryshme. Mbetet për historianët të studiojnë padrejtësitë. Ky komision nuk do të merret me shkaqet politike dhe efektet e demarkacionit të kufirit”, tha Islami.
Ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi opozita e kundërshtoi me dhunë si në Parlament ashtu dhe jashtë tij.
Marrëveshja për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi është një kusht për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.
Parlamenti i Malit të Zi e ka ratifikuar marrëveshjen.