Admir Fazlagikj
27 Korrik 2017•Përditësim: 27 Korrik 2017
SHKUP (AA) - Në prag të Super Kupës së UEFA-së e cila do të luhet në Shkup, përveç videove informative dhe aktiviteteve të shumta të planifikuara për tifozët e Manchester Unitedit dhe Real Madridit, edhe Kalaja e Shkupit ka bërë një transformim, më konkretisht ka shkëlqyer në ngjyrat zyrtare të Super Kupës, raporton Anadolu Agency (AA).
Kalaja e cila është një pikë referimi në kryeqytetin e Republikës së Maqedonisë, gjithmonë ka tërhequr vëmendjen si një objekt i rëndësishëm historik, dhe këto ditë me rastin e Super Kupës, Kalaja ka shkëlqyer në ngjyrat zyrtare të UEFA-s, duke tërhequr vëmendjen e turistëve të shumtë të cilët gjenden në Shkup.
Billbordët dhe flamujt e vendosur, në mënyrë shtesë do të zbukurojnë qytetin i cili me pamjen e re, shpreson të tejkalojë pritjet për atmosfërën euforike e cila do ta shoqërojë ndeshjen.
Qyteti i Shkupit po bën organizimin e "fan zonës neutrale”, e cila do të vendoset në sheshin Maqedonia. Në këtë zonë do të mbahet pjesa dërmuese e aktiviteteve argëtuese të planifikuara për eventin sportiv, ku do të ketë performime të gripeve muzikore dhe DJ-ve të ndryshëm.
Për këtë zonë kanë treguar interes katër nga tetë partnerët zyrtarë të UEFA-s, që nuk ka ndodhur më parë. Më 7 dhe 8 gusht, aktivitetet dhe programi i muzikës do të fillojë në ora 11 dhe do të zgjasë deri në ora 19.
Shkupi më 8 gusht do të jetë nikoqir i dy klubeve më të mira evropiane, fituesve të sezonit të kaluar në Ligën e Kampionëve dhe atij në Europa Ligës. Ndeshja mes klubit anglez Manchester United dhe atij spanjoll Real Madrid do të zhvillohet në arenën kombëtare “Filipi i Dytë”, e cila ka një kapacitet prej 34 mijë ulëseve.