Senada Ibraimova
01 Dhjetor 2016•Përditësim: 02 Dhjetor 2016
SHKUP (АА) – Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK) sot ka mbajtur seancë publike me dy pika të rendit të ditës, ku i miratoi konkluzionet e ankesave nga zëvendësministri plotësues i Punëve të Brendshme Oliver Andonov, në lidhje me nenin 8 të Kodit Zgjedhor dhe nga koalicioni i zgjedhjeve të parakohshme për anëtarë të parlamentit, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja për nenin e njëjtë kundër LSDM-së dhe koalicionit, raporton Anadolu Agency (AA).
Anëtarja e KSHPK-së Farije Aliu paraqiti lëndën me numrin 12-47 16/1 të datës 28.11.2016 në të cilin thuhet se shkeljen e ka kryer ministri i Brendshëm Oliver Spasovski duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.
Sipas Aliut, faktet tregojnë se në datën dhe në ditën e miratimit të vendimit për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoni dhe pas saj, ministri i Punëve të Brendshme në mënyrë të njëanshme bën vendosjen dhe avancimin e personave të punësuar në MPB.
"Me ankesë janë parashtruar provat; 10 urdhëra për obligim dhe ekzekutim të detyrës, 5 urdhëra mungojnë apo nuk janë pjesë e dokumentacionit, ndërsa 5 janë, 3 nga të cilat mbajnë datën 23 nëntor të vitit 2016 dhe 2 mbajnë datën 7 nëntor të vitit 2016. Nga 18 vendimet për shpërndarje gjithsej janë paraqitur 16 të shoqëruara me dokumentacion përkatës dhe mbajnë datën 18 tetor të vitit 2016", ka thënë Aliu.
Ajo shtoi se pas parashtrimit të vendimeve vërehet se këtyre të punësuarve në MPB u jepen paga më të larta, ndryshe nga paga e rregullt mujore që i kanë marrë para datës së miratimit të vendimeve për shpërndarje, dhe siç theksoi ajo, kjo ka shkaktuar implikime financiare, pra paga të jashtëzakonshme nga buxheti.
Aliu theksoi se në bazë të provave të parashtruara është e dukshme shkelje e dispozitës të paragrafit 1, pika 3 të Kodit Zgjedhor dhe mos respektim i mendimit të KSHPK, e cila është dorëzuar në Ministrinë e Brendshme, në bazë të kërkesës së tyre paraprake të nënshkruar nga Andonov.
Anëtarët e Komisionit e votuan konkluzën duke kërkuar nga Prokuroria Themelore Publike - Shkup që të ndërmarrë masa dhe aktivitete për kërkime në lidhje me këtë rast dhe të dorëzojë informacion kthyes në KSHPK.
Kryetari i KSHPK-së Tanturovski parashtroi lëndën nr. 12-47 17 me datë 11.28.2016 nga koalicioni VMRO-DPMNE kundër koalicionit LSDM, Komuna e Kumanovës, kryetarit të komunës së Kumanovës dhe NPK të komunës së Kumanovës.
"Ankesa ka të bëjë me mosrespektimin apo shkeljen e dispozitave të nenit 8 - b të Kodit Zgjedhor ku thuhet se shkelja është kryer nga të punësuarit në NPK Kumanovë dhe përfaqësues të partisë politike LSDM dhe koalicionit", tha Tanturovski.
Ai tha se provat tregojnë se në datën dhe pas miratimit të vendimit për zgjedhje, të punësuarit me automjete zyrtare kanë transportuar material zgjedhor dhe parazgjedhor për qëllime të LSDM-së dhe koalicionit. Tanturovski ka shtuar se me këto pretendime janë dorëzuar dhe fotokopje të fotografive, publikim të teksteve të artikujve në media si materiale prove.
Komisioni mori vendim që të paraqesë dokumentacionin e deklarimit deri te drejtori i NPK-Kumanovë dhe kryetari i komunës së Kumanovës dhe të kërkojë nga Prokuroria Themelore Publike - Shkup që të ndërmarrin masa dhe aktivitete për hetime për pretendimet dhe të dorëzojë informacion kthyes në KSHPK.
Në seancën, përveç anëtarëve të Komisionit dhe kryetarit, Igor Tanturovski, të pranishëm ishin edhe personat e autorizuar nga ana e Oliver Andonov, apo këshilltar shtetërorë në kabinetin e Andonovit, Stojan Kuzev dhe këshilltarja Jana Ilieva ndërsa koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE u përfaqësua nga Ilija Ilioski.