Admir Fazlagikj
08 Mars 2018•Përditësim: 09 Mars 2018
SHKUP (AA) – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsit, me moton “A është me të vërtetë i lumtur?” në Shkup u mbajt marshi për të drejtat e grave i organizuar nga “Platforma për barazi gjinore”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në marshin i cili tradicionalisht por edhe simbolikisht filloi nga “Parku i Gruas”, përveç grave të shumta të moshave të ndryshme dhe përkatësive të ndryshme etnike, morën pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska si dhe ministri i Shëndetësisë, Vendko Filipçe.
Sneshka Iliq, e cila është pjesë e Platformës për barazi gjinore, duke folur për media tha se ky marsh është vetëm një nga aktivitetet në luftën për të drejtat e grave dhe përmirësimin e statusit të saj në shoqëri.
“Në vitin 2018 ne duam që me zë të lartë të dënojmë dhunën ndaj grave, që në shoqërinë tonë tolerohet dhe inkurajohet, ndërsa nëse dalin në dritë në mënyrë joadekuate dënohet dhe ndëshkohet. Me këtë marshim, përveç që i kujtojmë gratë, u bëjmë thirrje etërve, vëllezërve dhe burrave tanë të solidarizohen me gratë në Maqedoni dhe bashkërisht t’i largojmë etiketat dhe stereotipet dhe t’i themi ‘jo’ urrejtjes dhe dhunës ndaj grave”, tha Iliq.
Ajo shtoi se ky marsh kërkon nga politikanët të angazhohen për barazinë gjinore dhe të ndërmarrin hapa konkrete që do t’u mundësojnë grave mundësi të barabarta shoqërore, ekonomike dhe politike.
Zgjedhjet lokale 2017: Nga gjithsej 208 kandidatë vetëm 12 ishin gra
Pjesëmarrësit në marshin e sotëm poashtu zbuluan disa të dhëna që tregojnë pozitën e e grave në shoqërinë e Maqedonisë.
Ata theksuan se në zgjedhjet lokale të vitit 2017, nga gjithsej 208 kandidatë për kryetarë komune vetëm 12 ishin gra, që është më pak se 6 për qind e numrit të përgjithshëm të kandidatëve. Ata poashtu theksuan se shkalla e martesave të të miturve është në rritje dhe se Maqedonia ka shkallën më të lartë në Evropë të vdekshmërisë së të sapolindurit.
Pjesëmarrësit në marsh poashtu treguan nevojën për të rritur numrin e gjinekologëve, duke thënë se një gjineokolog kujdeset për rreth 7.000 femra të siguruara. Poashtu u theksua nevoja për përmirësimin e statusit të gruas nga pikëpamja ekonomike
“Vetëm 33,8 për qind e grave në moshë pune janë të punësuara, edhe pse janë më të arsimuar në pozita të caktuara. Shumica e grave në vend ende punojnë në vendet më të këqija në në industrinë tekstile, të këpucëve dhe të lëkurës”, theksuan nga Platforma për barazi gjinore.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, tha se pikërisht prania e kryeministrit dhe ministrave në këtë marsh tregon se qeveria me të vërtetë përpiqet dhe angazhohet në barazinë gjinore në Maqedoni.
“Në vend të dhuratave dhe festimeve, sot çdo grua dhe çdo burrë duhet thellë t’i kërkohet se çfarë ka bërë vitin e kaluar për barazinë gjinore dhe çfarë do të bëjë vitin e ardhshëm për barazinë gjinore. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë një shoqëri gjithëpërfshirëse”, tha Carovska.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, nga ana tjetër tha se: “Sinqerisht besoj se vetëm me gra të forta, gra me të drejtat e tyre, të cilat do t’i mbrojë shteti, ky vend do të mund të ecë përpara ekonomikisht dhe shoqërisht, por edhe demografikisht”.
Shekerinska shtoi se arsyet e mësipërme, Qeveria i propozoi dhe miratoi Konventën e Stambollit për parandalimin dhe luftën kundër dhunës në familje, miratimin e të cilës, tha ajo, për vite të tëra është pritur. Ajo shtoi se në Kuvendin e Maqedonisë sot ka rreth 45 për qind të grave.