Nazmi Abduramani
24 Korrik 2017•Përditësim: 24 Korrik 2017
SHKUP (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov nesër me ftesë të homologut të tij nga Shqipëria Ditmir Bushati, do të realizojë vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit me shefin e diplomacisë së Shqipërisë, parashihet konferencë e përbashkët për media i të dy ministrave, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Maqedonisë.
Në kuadër të vizitës, parashihet që ministri i Punëve të Jashtme Dimitrov të realizojë takim edhe me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, si dhe me presidentin Ilir Meta.
Vizita e fundit zyrtare mes delegacioneve të Ministrive të Jashtme të të dy vendeve është realizuar më 26 janar të vitit 2015 në Tiranë. Delegacioni maqedonas udhëhiqej nga ish-ministri Nikolla Poposki, ndërsa ai shqiptar nga ministri aktual Ditmir Bushati.
Gjatë bisedimeve mes shefit të diplomacisë shqiptare dhe maqedonase u riafirmuan marrëdhëniet e mira dypalëshe mes dy vendeve fqinje, ndërsa ministri Nikolla Poposki ftoi homologun e tij shqiptar në seancë të përbashkët mes qeverive të të dy vendeve në gjysmën e parë të vitit 2015, mirëpo një seancë e këtillë ende nuk është zhvilluar.
Pas kësaj vizite zyrtare, ministri Bushati më 24 gusht 2015 mori pjesë në Këshillin e ambasadorëve në Shkup, në kuadër të së cilës realizoi takim me homologun e tij maqedonas. Ndërsa, ministri Poposki më 30 dhe 31 mars të vitit 2016 udhëtoi në Durrës për në takimin ministror për Ballkanin Perëndimor, ku dhe realizoi takim me homologun e tij shqiptar.