Sibel Vezaj
02 Mars 2017•Përditësim: 02 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Gjykata e Apelit në Colmar në seancën e sotme gjyqësore ka shtyrë vendimin lidhur me lirimin ose ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt në Serbi. Seanca e radhës gjyqësore do të mbahet më 6 prill, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas seancës gjyqësore, Haradinaj në një deklaratë për media tha se gjykata ka vendosur të kërkojë informacione shtesë nga autoritetet serbe, duke u dhënë atyre edhe një muaj.
“Vendimi i radhës pritet më 6 prill, pra është vërtetë një abuzim me krejt çka po ndodh dhe jam peng politik. Pra ky proces është më së paku ligj e më së shumti politikë”, tha Haradinaj.
Qeveria e Kosovës: Serbia po keqpërdor drejtësinë
Në një komunikatë nga zyra e Kryeministrit thuhet se shtyrja e vendimit në emër të informatave shtesë, po zvarrit një proces të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara, përmes rrugëve të paligjshme dhe me synime degraduese për tërë popullin e Kosovës.
"Përmes këtyre lojërave të ulëta, për përfitime të brendshme politike, Serbia, duke keqpërdorur drejtësinë, po përpiqet të dëmtojë po ashtu imazhin dhe personalitetin e ish–kryeministrit Ramush Haradinaj, të qytetarëve të Kosovës dhe shtetin e Kosovës. Besojmë se drejtësia franceze nuk do të tolerojë një gjendje të tillë", thuhet në komunikatë.
Qeveria po ashtu i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i jap fund njëherë e përgjithmonë "këtyre akteve të patolerueshme të Serbisë", ndërkaq, kërkon nga institucionet franceze të mundësojnë kthimin e Haradinajt në Republikën e Kosovës.
AAK: Drejtësia e vonuar është padrejtësi
Partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, reagon për shtyrjen e vendimit të kreut të kësaj partie, Ramush Haradinaj, duke theksuar se ky është një abuzim me drejtësinë.
Në një komunikatë nga AAK-ja thuhet se vendimi i marrë është i palogjikshëm, dhe krejtësisht i pakuptueshëm.
“Është e habitshme se si autoritetet gjyqësore të Francës, janë vënë në shërbim të ish bashkëpunëtorëve të Millosheviqit, të cilët përmes Haradinajt po e provokojnë rëndë stabilitetin dhe paqen në Kosovë. AAK, dyshon se shtyrja e vendimit për lirimin e Haradinajt, është përpjekje e drejtpërdrejt për mënjanimin politik të tij”, thuhet në komunikatë.
AAK po ashtu shpreh bindjen se Haradinaj do të lirohet, duke theksuar se “Të ashtuquajturat dëshmi të Serbisë kundër tij, janë trillime dhe shpifje ordinere, por autoritetet franceze duhet ta kuptojnë se drejtësia e vonuar është padrejtësi, dhe ato po e vonojnë drejtësinë në rastin Haradinaj”.
Ndryshe, ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-udhëheqësi i UÇK së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, më 4 janar u ndalua nga autoritetet franceze bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004.
Ai më 12 janar u lirua me kusht nga autoritetet franceze, kurse vendimi për të ishte shtyrë edhe në seancën e 9 shkurtit. Paraprakisht, ai ishte arrestuar edhe në Slloveni në vitin 2015 sipas urdhërarrestit të njëjtë, ndërkohë që më pas ishte liruar.