Saimir Alija
12 Maj 2018•Përditësim: 12 Maj 2018
TIRANË (AA) - Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, zhvilloi sot një takim me ministrin e Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, Michael Roth, i cili deklaroi se Shqipëria mund të vazhdojë të mbështetet në ndihmën dhe përkrahjen e Gjermanisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në përfundim të takimit, Bushati dhe Roth mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku Bushati tha se Gjermania është partneri kryesor, jo vetëm i Shqipërisë, por dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin transformues.
Sipas Bushatit, Gjermania është vendi i cili inicioi procesin e Berlinit dhe është një vend kritik i rreptë dhe partner i ndershëm për procesin e vështirë të reformave.
“Fokusi kryesor i bisedës së sotme ishte në lidhje me hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrim në procesin e anëtarësimit në BE, duke marrë në shqyrtim, qoftë procesin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria, rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, strategjinë e zgjerimit, e cila përcakton disa prej fushave kryesore ku do të përqendrohet bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në të ardhme”, tha Bushati.
Duke folur për Samitin e Sofjes Bushati nënvizoi, se synimi kryesor është përshpejtimin i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa, Roth në fjalën e tij, tha se Shqipëria mund të vazhdojë të mbështetet në ndihmën dhe përkrahjen e Gjermanisë dhe sipas tij, procesi i vetingut shërben si model për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e vështirë, por është një rrugë e cila ja vlen. Shqipëria ka shënuar një sërë arritjesh të rëndësishme. Në plan të parë janë arritje që kanë të bëjnë me forcimin e sistemit të demokracisë, shtetit ligjor dhe sistemit të drejtësisë. Procesi i vettingut që është duke u zbatuar në Shqipëri, është unik për nga karakteri dhe shërben si model për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Roth.
Më tej gjatë fjalës së tij, ministri Roth tha: “Fokusi i bisedës me ministrin e Brendshëm kanë qenë problematika që kanë pasur të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Këto janë fusha ku ne kemi ende pritshmëri për suksese të mëtejshme. Jemi mjaft mirënjohës që Task Forca në këtë drejtim ka nisur veprimtarinë e vet, pasi dhe Gjermania ka një interes të madh në luftën kundër korrupsionit, terrorizmit dhe krimit të organizuar, në të cilën ajo ofron edhe mbështetjen e saj".
Duke folur për arritjet e Shqipërisë, Roth tha se ato janë verifikuar nga BE, i cili dha dhe rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim.
“Qeveria federale është duke verifikuar të gjitha këto arritje në koordinim të ngushtë me Bundestagun gjerman dhe në bashkëpunim me të ne do të pozicionohemi në të ardhmen lidhur me çeljen e negociatave. Argumentet për çeljen e negociatave nuk mungojnë, perspektivën e anëtarësimin në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por në mënyrë të veçantë për Shqipërinë është në interesin, jo vetëm të Shqipërisë, por është dhe në interesin tonë dhe ne duhet t'ja shpjegojmë këtë qytetarëve tanë”, deklaroi Roth.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë , Michael Roth u takua edhe me kryeministrin e vendit, Edi Rama, ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.