20 Tetor 2018•Përditësim: 20 Tetor 2018
SHKUP (AA) - Pas votimit në Kuvendin e Maqedonisë për propozimin për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese, zyrtarë të lartë nga rajoni dhe Bashkimi Evropian (BE) përshëndetën votimin e mbrëmshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, në rrjetet sociale ka uruar kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, pasi Kuvendi miratoi propozimin qeveritar për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese në pajtim me Marrëveshjen e Prespës.
“Urime miku Zoran Zaev. Votimi është një hap i madh drejt suksesit tonë të përbashkët. Shumë hap i rëndësishëm drejt të ardhmes së qetë dhe prosperuese për popujt tanë!”, shkroi Tsipras.
Edhe komisioneri i BE-së për Zgjerimm, Johanes Hahn, uroi për votimin e Kuvendit të Maqedonisë. “Një ditë e madhe për demokracinë në Shkup. Uroj të gjithë ata që vendosën të ecnin përgjatë rrugës së BE-së. Pres që zgjedhja e lirë e të gjithë deputetëve është respektuar plotësisht, veçanërisht atyre që gardhin sonte. Kemi nevojë për shtetformësi, jo për lojëra partiake”, shkroi Hahn.
Ndërsa, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, në gjuhën maqedonase reagoi në rrjetet sociale. “Votë drejt hapit të madh më afër marrjes së pozitës që ju përket në bashkësinë tonë transatlantike”, shkroi Tusk.
Gjithashtu urime ka pasur edhe nga liderët e rajonit për miratimin e propozimit për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe Kryeministri, Edi Rama kanë shprehur urimet e tyre ndaj Maqedonisë.
Meta e ka përshëndetur këtë vendim, duke theksuar se votimi në Kuvendin e Maqedonisë pro nismës për ndryshimet kushtetuese është një hap i rëndësishëm, shprese e besimi se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE është në rrugën e duhur.
“E përgëzoj qeverinë e kryeministrit Zaev për përpjekjet e vendosura në këtë drejtim dhe të gjithë ligjvënësit e Kuvendit të Maqedonisë për mbështetjen e një procesi që jo vetëm çliron Maqedoninë nga një ngërç integrimi disa vjeçar, por ndikon edhe në sigurinë, stabilitetin e mirëqenien e rajonit tonë”, ka shkruar Meta në rrjetet sociale.
Nga ana tjetër edhe kryeministri Rama përshëndeti votimin e djeshëm. “Gëzuar ditëlindjen Republika e Maqedonisë së Veriut. Urime të përzemërta për Zoran Zaev dhe për të gjithë ata që luftuan për këtë moment historik. Një derë e re e të ardhmes u hap sot për dy popujt tanë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Rama në një reagim në rrjetin social Twitter.
Ndërsa edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në rrjetet sociale përshëndeti votimin e djeshëm në Kuvendin e Maqedonisë, duke u shprehur se “Maqedonia e zgjodhi rrugën e integrimeve euroatlantike dhe bëri një hap të madh për forcimin e paqes në tërë rajonin tone”.
Thaçi më tej tha se Kuvendi i Maqedonisë dje dha shembullin e bashkimit të të gjitha partive për të mirën e vendit. “Kuvendi i Maqedonisë mbrëmë dha shembullin e bashkimit të të gjitha partive për të mirën e qytetarëve dhe shtetit të tyre. Shteti forcohet dhe integrohet kur të zgjedhurit e popullit marrin vendimet e duhura dhe tejkalojnë interesat politike për interesat shtetërore. Republika e Kosovës i gëzohet këtij vendimi shumë të rëndësishëm të shtetit tonë fqinj. Paqen dhe stabilitetin në rajon e forcojmë vetëm duke dëshmuar vendosmëri në orientimin euroatlantik dhe duke punuar shumë për integrimin në familjen evropiane”, shkruan Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, thotë se vota e Parlamentit të Maqedonisë në mbështetje të fillimit të procedurave kushtetuese për ndryshimin e emrit, është lajm i mirë edhe për Kosovën e rajonin.
“Vizioni, guximi dhe pjekuria politike e lidershipit dhe popullit të Maqedonisë ishin vendimtare për t’u ngritur mbi të kaluarën jo të lehtë historike, dhe për t’i dhënë fund njërës prej mospajtimeve më të vështira në rajon”, thekson Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës shprehet se orientimi euro-atlantik i shteteve të Ballkanit Perëndimor është jetik në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës (BeH), Denis Zvizdiç, ka përshëndetur votimin e mbrëmshëm të deputetëve të Kuvendit Republikan të Maqedonisë të cilët miratuan propozimin për ndryshimet kushtetuese, duke thënë se me këtë, i kanë hapur vetes rrugën e integrimeve euro-atlantike.
“Urimet e sinqerta për kryeministrin, njëherësh mikun tim Zoran Zaev dhe popullin në Maqedoni, ndërsa përkrahje e madhe për Alexis Tsipras për ratifikimin e marrëveshjes në Parlamentin grek”, shkruan Zvizdiq në një postim në Twitter.
Kujtojmë se me një shumicë prej dy të tretave deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë miratuan propozimin për qasjen drejt ndryshimeve kushtetuese.