Bekim Laci
17 Janar 2018•Përditësim: 17 Janar 2018
SHKUP (AA) - Qeveria e Republikës së Maqedonisë shpreh keqardhjen e saj për vendimin e presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, për të mos dekretuar ligjin për përdorimin e gjuhëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një reagim të shkruar, Qeveria thekson se të gjitha dispozitat në zgjidhjen ligjore për përdorimin e gjuhëve janë në përputhje me amendamentin e pestë të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe se ligji në fjalë promovon përdorimin e gjuhëve të të gjitha komuniteteve në Republikën e Maqedonisë.
Motivi për miratimin e këtij ligji, thuhet më tej në njoftim, është përkujdesi për të gjithë qytetarët e vendit, të cilin po e ndërtojmë si “një shoqëri” për të gjithë, një koncept të cilin kjo qeveri e beson fuqishëm.
“Ligji do të zgjerojë përdorimin e gjuhës zyrtare të cilën e flasin së paku 20 për qind e popullatës, që do të thotë se ligji zgjeron përdorimin e gjuhëve në institucione duke u mundësuar qytetarëve komunikim me institucionet shtetërore në gjuhën e tyre amtare”, qëndron në sqarimin e qeverisë.
Nga atje thonë se qeveria është përcaktuar për politika të cilat e bëjnë Republikën e Maqedonisë një shtet civil të të gjithë atyre që jetojnë në të, "maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët, vllehët, romët, boshnjakët dhe komunitetet tjera që jetojnë në vend".
Qeveria e Republikës së Maqedonisë thotë se ligji u miratua në përputhje me procedurat e parapara dhe se opozita kishte të gjitha mundësitë për të marrë pjesë në përmirësimin e tij, por në vend të kësaj ajo vendosi të mos marrë pjesë në procesin politik të miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Mospjesëmarrja nuk përjashton përgjegjësinë politike”, thotë qeveria, sipas të cilës ligji në fjalë nuk vë në pikëpyetje karakterin unitar të Maqedonisë, as përdorimin e gjuhës maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, duke mbetur e vetmja gjuhë zyrtare në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të saj, në mbrojtje, policinë qendrore dhe politikat monetare.
"Ligji do të dërgohet në Komisionin e Venecias për shqyrtim dhe të gjitha vërejtjet do të përfshihen në tekstin e këtij ligji. Kjo është një garanci se ligji nuk siguron asgjë që është në kundërshtim me standardet evropiane për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike", bëjnë të ditur nga qeveria.
Në njoftim theksohet se nëse një qytetar ka të drejtën të flasë në gjuhën e tij amtare, në atë rast nuk humbasin qytetarët e tjerë, por përfiton Republika e Maqedonisë, si një shtet qytetar dhe demokratik.
Me herët, presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, deklaroi se ka vendosur të mos e dekretoj miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke bëre të ditur se ka dërguar një letër në Kuvend, në të cilën ka dhënë shpjegim ligjor dhe të detajuar për vendimin e tij.
Më 11 janar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas këtij ligji, parashikohet që në të gjitha organet shtetërore të vendit, përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që flitet nga 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe shkrimi i saj, në këtë rast gjuha shqipe.