Besar Ademi
07 Dhjetor 2016•Përditësim: 08 Dhjetor 2016
SHKUP (AA) – Sot në Shkup është promovuar libri me titull “Rruga e kampionit olimpik”, kushtuar kampionit olimpik në mundje nga Shkupi i Maqedonisë, Shaban Tërstena, në të cilin përshkruhet monografia e tij me fakte interesante nga jeta, si dhe karriera e tij 19 vjeçare, vështirësitë dhe sukseset në planin sportiv, raporton Anadolu Agency (AA).
Libri “Rruga e kampionit olimpik” është realizuar nga kërkime, mbledhje të materialeve arkivore, fotografi dhe intervista të kampionit Tërstena gjatë karrierës së tij. Autorët e këtij libri janë profesori universitar Sefer Tahiri, si dhe gazetarët sportiv, Reshat Ibrahimi dhe Florim Rexhepi.
Kampioni Shaban Tërstena në fjalën e tij para të pranishmëve tha se për të arritur deri në ditën e sotme i është dashur shumë punë dhe vështirësi, por tha se ka punuar ditë e natë dhe asnjëherë nuk është dorëzuar. Ai falënderoi familjen, shoqërinë dhe rrethin e tij më të gjerë të cilët e kanë ndihmuar për të arritur suksese në karrierën e tij, duke i porositur që të mos i nënvlerësojnë fëmijët e tyre, sepse çdo fëmijë ka ide dhe vizion për të arritur diçka në jetë.
“Në këta momente mu kujtua të fillojë adresimin me botën tonë, një botë që është e madhe dhe e mrekullueshme ku jetojnë 7 miliardë njerëz. Të gjithë këta njerëz kanë kulturën dhe historinë e tyre. Mirëpo, edhe ne si një popull i vogël dhe shtet i vogël si Maqedonia e kemi kulturën dhe historinë tonë”, u shpreh Tërstena, duke filluar të përshkruajë sukseset e tij të cilat janë përfshirë edhe në librin e monografisë së tij.
Autor i librit, Sefer Tahiri, theksoi se kombet e mëdha dhe shtetet e fuqishme gjithmonë kanë pasur sportistë të lavdishëm që jetojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen të jetojnë në botën e njerëzve, por siç tha ai, në rastin e kampionit Tërstena historia sportive ka bërë përjashtime.
“Ajo dëshmon se edhe kombe dhe shtete të vogla historisë së sportit i falin emra të mëdhenj dhe ta papërsëritshëm. Janë ata që kanë shënuar sukseset më kulmore, ngritjen më eprore në piedestalet e sukseseve aq shumë të dëshiruara. Kombet të cilat i japin historisë botërore, nuk mund të quhen të vegjël. Nga palca kombëtare e shqiptarëve dhe nga Maqedonia si shtet kanë lindur figura madhore që bota njeh si emra si të legjitimuar dhe të verifikuar me rezultate dhe suksese konkrete”, deklaroi Tahiri, duke e theksuar emrin e kampionit Tërstena.
Në promovimin e librit në fjalë, morën pjesë mysafirë të shumtë të fushave të ndryshme nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, përfshirë përfaqësues politik, zyrtarë të Qeverisë, sportistë dhe të tjerë.
Ndër ato mysafirë ishte edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Maqedonisë, Vasil Tupurkovski, i cili tha se: “Tërstena është përfaqësues krenar i kombit dhe vendit të tij. Atë të drejtë askush nuk mund t’ia marrë asnjë sportisti, veçanërisht një sportisti të madh, sepse ai ka dhënë një kontribut të tillë që ne nuk jemi të vetëdijshëm sa i madh është për afirmimin e popullit dhe vendit të tij. Nuk ka çmim për atë dhe askush nuk mund ta bëjë, përveç një krijues apo sportist botëror".
Kush është Shaban Tërstena?
Sportisti më i suksesshëm shqiptar Shaban Tërstena i lindur në vitin 1965 në Çair të Shkupit, ka arritur medaljen e artë në lojërat olimpike të vitit 1984 në Los Anxhelos të SHBA-ve, ndërsa pas katër viteve fitoi medaljen e argjendtë në Seul.
Ai po ashtu fitoi medaljen e argjendtë në vitet 1983, 1985, 1986 dhe medalje të bronztë në vitin 1982 dhe 1988. Ndryshe, Tërstena është shpallur edhe sportist i shekullit në Maqedoni dhe në hapësirën mbarë shqiptare.