Sibel Vezaj
07 Nëntor 2016•Përditësim: 08 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike sot organizuan konferencën "Ecje nëpër akull: Kushtëzime, sfida dhe reforma drejt BE-së”. Qëllimi i kësaj konference është të nxjerr në pah sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova si drejt qeverisjes së mirë, ashtu dhe drejt procesit të integrimit evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konferencë, përveç kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe Natalyia Apostolova, përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë, po marrin pjesë edhe diplomatë, politikë-bërës si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në sesionin e parë të kësaj konference, kryeministri Mustafa i cili foli si panelist foli për dy probleme të vendit, duke theksuar se e para ka të bëjë me pretendimin se Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së dhe ajo e dyta me vetë problemin e brendshëm të vendit.
Duke vënë në dukje se fryma integruese në vend nuk është vetëm çështje e institucioneve të Kosovës e të fiksimeve politike, Mustafa tha se “Tani liria e lëvizjes më nuk është çështje e institucioneve të Bashkimit Evropian, por është çështja jonë sepse natyrisht që Parlamenti Evropian nuk do të merr vendimin të cilin duhet ta marrë parlamenti i Republikës së Kosovës. Çështja është e koncensusit të brendshëm, pra që ne ta kapërcejmë edhe këtë sfidë”.
Ndërkaq duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Mustafa tha se nuk është i kënaqur me procesin e bisedimeve me Serbinë, përkatësisht me zhbërjen e strukturave paralele në Kosovë. Ai shtoi se ky proces duhet të jetë më efikas sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura.
Ndërsa sa i përket çështjes së Demarkacionit, Mustafa tha se “Po të pyeste Mali i Zi opozitën e vet pro serbe dhe pro ruse ata kurrë s’do ta pranonin pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ne në këtë rast nuk mund të krijojmë kauza politike të cilat janë të paqëndrueshme për të penguar një proces i cili edhe i ndihmon përkufizimit shtetëror të Kosovës, sepse kemi të bëjmë me vënien e kufijve ndërshtetëror”.
Kurse Natalyia Apostolova, përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë tha se BE-ja është e angazhuar dhe e përkushtuar për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe se nuk është duke vendosur pengesa burokratike.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Apostolova theksoi se Kosova ka arritur progres në këtë aspekt por që kusht mbetet ende demarkacioni dhe lufta kundër korrupsionit.
Ajo vuri në dukje se ky bllokim është një çështje e brendshme politike e Kosovës. “Unë apeloj partitë politike që përfaqësohen këtu, le të shikojnë në interesat më të larta kombëtare të cilat ia mundësojnë Kosovës progresin në rrugëtimin evropian dhe në rastin e tillë duhet që ta merr liberalizimin e vizave dhe jo që të ndiqen axhendat me kushte politike”, tha Apostolova.
Në anën tjetër, themeluesi i gazetës Koha Ditore, Veton Surroi potencoi se pa marrë parasysh se çfarë ndodh me BE-në institucionalisht, ideja e Kosovës evropiane duhet të zbatohet. Ai shtoi se kjo ide e cila korrespondon me vlerat e shteteve anëtare të BE-së duhet të ndërtohet brenda strukturave të shtetit të Kosovës.
“Kosova mban kontinuitetin e politikave të cilat në masë të madhe, shoqëria në përjashtim të partisë së atëhershme në pushtet, pra Partisë Demokratikë të Kosovës, e gjithë shoqëria me të gjithë partitë e atëhershme opozitare e çuan në një shtet të kapur dhe problemi esencial i shoqërisë sonë është se a kemi krijuar diskontinuitetin me shpirtin e kapur apo jo”, tha Surroi.
Në konferencë gjithashtu do të diskutohen çështjet si dialogu Kosovë-Serbi si dhe reformat në sundimin e ligjit në veçanti, duke vënë në pyetje nëse qasja e qeverisë së Kosovës është e duhura kundrejt procesit të dialogut dhe sundimit të ligjit.