Figen Shaban
08 Nëntor 2017•Përditësim: 09 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Flamur Sefaj dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, mbajtën sot një konferencë ku u prezantua Autoriteti Qeveritar për Migrim dhe fillimi i projektit: “Fuqizimi i Autoritetit për menaxhimin e migrimit në Kosovë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Sefaj, theksoi se Kosova, në kuadër të axhendës për integrime evropiane dhe në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, ndërmori një sërë reformash ligjore, strategjike dhe institucionale në fushën e menaxhimit të migracionit të popullsisë, menaxhimit të kufirit si dhe të politikës së vizave.
“Ngjarjet e viteve të fundit që kanë të bëjnë me tundjen e popullatave tregojnë se lëvizjet e shumta migratore dhe mbrojtja e të drejtave të kategorive të ndryshme të imigrantëve janë sfida për tërë rajonin tonë, por edhe për familjen evropiane. Këto sfida janë dëshmi që duhet të kemi bashkërëndim të politikave për tu përballur me sfidat e migrimit, por edhe solidaritet për të mbrojtur të drejtat e migrantëve”, tha Sefaj.
Ministri Sefaj po ashtu është shprehur se sipas statistikave të EUROSTAT-it, Kosova ka arritur sukses në parandalimin e migracionit të paligjshëm, përmes angazhimit institucional, fushatave të ndryshme në këtë drejtim dhe sipas tij falë punës së Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, e veçanërisht kundër elementeve që lidhen me trafikimin e migrantëve. Nga ana tjetër, ai shtoi se statistikat e EUROSTAT-it tregojnë se në Kosovë po rritet migrimi i ligjshëm në vendet e Bashkimit Evropian, që sipas tij kontribuon në ekonominë e këtyre vendeve.
Ndërsa, ambasadori zviceran në Kosovë, Jena Hubert Lebet theksoi se diaspora e Kosovës ndihmon ekonominë e Kosovës në masë të madhe përmes remitancave që zënë shumën 17 për qind të prodhimit bruto vendor.
"Remitencat duhet të përdoren në forma fitimprurëse jo vetëm për përdorimin apo ndërtimin e banesave, shumica e të cilave janë bosh. Kapitali i emigrantëve të Kosovës ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e Kosovës dhe shumica prej tyre që i njohin rrethanat e punës, kanë mundësinë dhe aftësinë për të ardhur në Kosovë dhe t'i harmonizojnë standardet evropiane dhe botërore në punën e tyre", tha Lebet. Duke folur për çështjen e liberalizimit të vizave, ambasadori Lebet tha se Kosova duhet të plotësojë kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Ndërkohë, Tamer Kılıç, koordinatori rajonal i Qendrës Ndërkombëtare të Zhvillimit të Politikave të Migrimit (ICMPD-EU) i cili prezantoi projektin "Fuqizimi i Autoritetit për menaxhimin e migracionit në Kosovë", tha se gjatë 18 muajve përmes këtij projekti do të ndihmohet Qeverisë së Kosovës në përmirësimin e veprimtarisë së saj në menaxhimin e migracionit.