Fatjon Cuka
09 Janar 2019•Përditësim: 09 Janar 2019
TIRANË (AA) - Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar emërimin e disa ministrave të rinj të kabinetit qeveritar të Shqipërisë të propozuar nga kryeministri Edi Rama, ndërsa ende nuk ka dekretuar propozimin për ministrin i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë ka njoftuar se në postin e ministres së Arsimit, Rinisë dhe Sportit është emëruar Besa Shahini në vend të Lindita Nikollës, që është shkarkur.
Presidenti Meta ka dekretuar emërimin Anila Denaj në postin e ministres së Financave dhe të Ekonomisë në vend të Arben Ahmetajt që është shkarkuar, ndërsa në postin e ministres së Kulturës është ëmëruar Elva Margariti në vend të Mirela Kumbaro Furxhi, e cila po ashtu është shkarkuar më parë.
Belinda Balluku është emëruar në postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, në vend të Damian Gjiknurit, i cili tashmë është shkarkuar.
Gent Caka që është nga Kosova, është propozuar si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, post që e mban aktualisht Ditmir Bushati që nuk ka dekret për shkarkimin e tij, ndërsa ende nuk ka dekret edhe për emërimin e kryediplomatit të ri të Shqipërisë të propozuar nga kryeministri Rama.
Presidenti Meta dekretoi disa ditë më parë emërimin e zëvendëskryeministrit të ri, Erion Braçe, post që e mbante Senida Mesi. Gjithashtu Meta në postin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dekretoi Bledi Çuçi, në vend të Niko Peleshit. Eduard Shalsi është emëruar ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, post të cilin e mbante Sonila Qato. Gjithashtu Meta më parë ka dekretuar edhe emërimin e ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin e cila do të jetë Elisa Spiropali.
Dekretet për emërimin dhe shkarkimin e ministrave pritet të votohen në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa pas betimit në Presidencën e Shqipërisë ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën.
Ndryshimet në kabinetin qeveritar u prezantuan nga kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, më 28 dhjetor të vitit të kaluar.