Zülfiya Yakup
15 Shkurt 2019•Përditësim: 15 Shkurt 2019
PRISHTINË (AA) - Bashkëkryesuesit e Ekipit negociator shtetëror të Kosovës, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj i dorëzuan sot zyrtarisht Platformën e dialogut me Serbinë, kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, të miratuar dje njëzëri nga delegacioni negociator, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas dorëzimit të kësaj platforme, Veseli para mediave tha se viti 2019 do të jetë vit i anëtarësimit të Kosovës në OKB, vit në të cilin do të hapet rruga e integrimit të Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe vit i liberalizimit të vizave.
Veseli potencoi se Platforma e Dialogut është marrëveshje gjithëpërfshirëse e obligueshme ligjore për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke garantuar se nuk do të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, pra nivel të tretë të qeversijes në Kosovë, siç është Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë.
"Platforma njëkohësisht garanton përgjegjësitë që ka shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës si dhe reciprocitet për vëllezërit tanë që të ruhen të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë", tha Veseli.
Ai tha se Kuvendi do të miratojë Platformën, por se fjalën e fundit për marrëveshjen me serbinë do ta japin qytetarët e Kosovës në referendum.
Veseli edhe një herë i bëri thirrje opozitës që të jenë bashkëpjesëmarrës në procesin e dialogut historik.
Ahmeti tha se platforma prej 11 parimesh, tregon qëndrimin zyrtar të Kosovës drejt fazës përfundimtare në dialogun me Serbinë.
Në mesin e parimeve theksohet paprekshmëria e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës sipas kushtetutës së Kosovës, si dhe parimi se burimet natyrore dhe asetet në Kosovë janë e drejta sovrane e Kosovës. Platforma parashikon që në negociata të inicohen çështjet e kompensimit për dëmet e luftës në mënyrë kolektive dhe individuale, si dhe reparacioni dhe sukcesioni.
"Këtë dialog po e quajmë dialog për njohje, ky është parimi i parë. Ne nuk shkojmë në dialog në qoftë se mendojmë se përfundimi i saj është diçka më pak se njohja", tha ai.
Ahmeti tha se Kosova dëshiron të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura që ka me Serbinë dhe dëshiron anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Bashkëkryesuesi tjetër i Ekipit negociator, Fatmir Limaj tha se ka ardhur koha që Serbia të njohë realitetin e Kosovës së pavarur.