Dejan Maksimoviç
05 Janar 2017•Përditësim: 05 Janar 2017
VJENË (AA) – Dunja Mijatoviç, përfaqësuesja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Lirinë e Mediave ka dënuar sulmin ndaj Nihad Ibrahimkadiç, kameramanit të Anadolu Agency (AA), që ndodhi sot në mëngjes në Beograd.
“Ndonëse ende është e paqartë nëse sulmi ka të bëjë me angazhimin e tij profesional, besoj se autoritetet në themel do të hetojnë këtë sulm të neveritshëm dhe autorët t’i sjell para drejtësisë. Sulmet ndaj mediave thjeshtë nuk mund të tolerohen”, tha Mijatoviç.
Kameramani i Anadolu Agency (AA) Nihad Ibrahimkadiç u sulmua sot herët në mëngjes në afërsi të stacionit hekurudhor në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Ibrahimkadiç nga sulmi ka marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa pas sulmit për transportimin e tij në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd u ndihmua nga pjesëtarët e xhandarmërisë.
Ibrahimkadiç aktualisht është vendosur në kujdes intensiv. Persona deri më tani të paidentifikuar kanë sulmuar Ibrahimkadiç pas shpine, pa asnjë arsye. Sulmuesit nuk kanë folur dhe as që i kanë marrë kameramanit sende me vlerë.
Punonjësi i AA është sulmuar në orët e hershme të mëngjesit, pas kthimit nga Bosnja dhe Hercegovina, ku qëndroi për festën e Vitit të Ri.
Për sulmin ndaj kameramanit të AA është informuar Ambasada e Bosnjës dhe Hercegovinës në Serbi dhe Ambasada e Republikës së Turqisë, si dhe autoritetet kompetente të Republikës së Serbisë. Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Mediave vëzhgon zhvillimin e mediave në gjitha 57 shtetet anëtare të OSBE-së. Ajo raporton dhe paralajmëron shkeljet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.