BALLKANI

Në Shqipëri vazhdon protesta e studentëve, Rama thirrje për dialog

Për protestën ka reaguar kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ftoi studentët të dialogojnë dhe shtoi se Qeveria e Shqipërisë është e gatshme të zgjidhë kërkesat e tyre

Saimir Alija  | 13.12.2018 - Përdıtësım : 14.12.2018
Në Shqipëri vazhdon protesta e studentëve, Rama thirrje për dialog ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

TIRANË (AA) - Studentët e universiteteve publike të Shqipërisë vijojnë të protestojnë duke insistuar në plotësimin e kërkesave të tyre dhe duke refuzuar dialogun me institucionet dhe Qeverinë e Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Lidhur me protestën e studentëve ka reaguar kryeministri Shqipërisë, Edi Rama, i cili në fjalën e tij në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë i ftoi studentët të dialogojnë dhe shtoi se Qeveria e Shqipërisë është e gatshme të zgjidhë kërkesat e tyre.

“Janë të ftuar në çdo moment edhe këtu në këtë sallë, nëse dëshirojnë që të diskutojnë hapur në sy të gjithë opinionit publik lidhur me të 8 pikat e tyre, por edhe më shumë se kaq, kjo sallë është në dispozicion. Faktikisht opozita reale e vendit sot janë ata studentë që kanë vendosur të ngrenë krye kundër një sistemi të universitetit që i ka marrë ata peng. Ky parlament dhe çdo sallë janë hapësira ku mund të diskutojmë me studentët. Unë jam i gatshëm këtu apo kudo që studentët duan të diskutoj me ta”, tha Rama.

Sipas Ramës, kjo protestë e cila afishon 8 pika, i ka rrënjët shumë thellë “tek burimet e sëmundjes së universitetit, e cila autonomia e shumëkërkuar dhe e dhënë i ka mbuluar dhe nuk ka lejuar kurimin e tyre”.

Duke folur për kërkesat e studentëve, kryeministri Rama u shpreh: “Pikat ne jemi gati t’i plotësojmë një për një. Qeveria nuk është sot në konflikt me studentët, por qeveria është sot e gjitha me sy e vesh nga studentët” 

“Protesta i dha një shuplakë qeverisë, i dha një grusht opozitës dhe një shpresë shoqërisë. Shoqëria kërkon zgjidhje dhe qeveria zgjidhjen e ka dhe do ta japë me dialog”, tha Rama. 

Gjatë seancës së sotme parlamentare kanë marrë pjesë edhe disa deputetë të partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), që e bojkotojnë që prej shtatorit, të cilën diskutuan lidhur me propozimin e amendamenteve të paraqitura nga LSI për buxhetin për arsimin për t'iu ardhur në ndihmë studentëve.

Ndërkohë para selisë së Kuvendit të Shqipërisë janë angazhuar edhe punonjës të policisë, ndërsa gjatë protestës nuk janë shënuar incidente.

Protesta e studentëve të universiteteve publike para selisë së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë filloi më 5 dhjetor, ndërsa studentët protestues kanë theksuar se nuk tërhiqen deri në realizimin e kërkesave.

Tetë kërkesat e studentëve janë përgjysmimi i tarifës së studimit për çdo nivel studimi, transparenca me buxhetin nga Ministria e Arsimit dhe universitetet, rritja nga 10 për qind në 50 për qind e përfaqësimit të studentve në bordet drejtuese të universiteteve, rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore, bordi i administrimit të universiteteve të ketë numër të barabartë votash, pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-19, ndërtimi i bibliotekave me starndarde evropiane, si dhe vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut.

Gjatë ditës së sotme mijëra studentë janë mbledhur në Tiranë para selisë së Kuvendit të Shqipërisë, ku me letra të bardha dhe pankarta kanë protestuar për plotësimin e kërkesave të tyre, ndërkohë që vazhdojnë të jenë të vendosur për të mos pranuar të dialogojnë me institucionet.

Protesta të studentëve janë organizuar edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë si në Berat, Korçë, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın