Ivana Ramadanova
02 Janar 2017•Përditësim: 02 Janar 2017
SHKUP (АА) - Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov me rastin e sulmit terrorist në Stamboll, shprehu ngushëllime deri tek homologu i tij turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
"Me tronditje të madhe dhe të thellë mora lajmin e tragjedisë në Ortakoj të Stambollit ku u vranë 39 njerëz. Pavarësisht se ku jetojmë, kjo humbje tragjike e jetëve të pafajshme të të rinjve është një tjetër kujtesë se ne duhet patjetër të mbetemi së bashku dhe të fortë në emër të njerëzimit dhe të bëjmë gjithçka për mirëqenien e fëmijëve tanë. Në këto momente dhe trishtim të thellë, më lejoni që në emër të qytetarëve të Maqedonisë t'u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet që humbën të dashurit e tyre", thotë Ivanov.
Duke dënuar dhunën që ndodhi në Stamboll, Ivanov shpreson se bashkësia ndërkombëtare do të punojnë së bashku në luftën kundër së keqes dhe në drejtim të intensifikimit të bashkëpunimit ekzistues kundër terrorizmit. Ai ka shprehur ngushëllime edhe deri tek familjet e viktimave.
Me rastin e sulmit terrorist në Stamboll i cili ndodhi gjatë natës së Vitit të Ri në një klub nate, ngushëllime deri te Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Maqedoni, Tülin Erkal Kara dhe deri te Ministria e Punëve të Brendshme të Turqisë, shprehu edhe ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Agim Nuhiu.
MPB-ja e Maqedonisë dënon ashpër këtë sulm terrorist, duke potencuar se solidarizohen me popullin turk në këto kohë të vështira.
“Sinqerisht shpresoj se përmes bashkëpunimit intensiv dhe miqësor në të ardhmen do të jemi dëshmitarë të eliminimit të të gjitha formave të terrorizmit, ndërsa e atë edhe garatimin e sigurisë për qytetarët tanë”, thuhet në telegram.
“Jam i bindur se dora e personave përgjegjës të këtij akti qyqar do të arrijë te drejtësia, sepse vrasja e personave të pafajshëm në asnjë mënyrë nuk mund të justifikohet dhe harrohet”, thotë ministri Nuhiu në ngushëllimin e tij.