Fatjon Cuka
29 Nëntor 2016•Përditësim: 29 Nëntor 2016
TIRANË (AA) - Në Shqipëri sot shënohet 72-vjetori i Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë dhe me rastin e kësaj dite që kremtohet si festë zyrtare janë zhvilluar disa ceremoni në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia qendrore është organizuar në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar kanë vendosur kurora me lule tek monumenti "Nënë Shqipëri".
I pranishëm në ceremoninë e homazheve ishte kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ministra të kabinetit qeveritar veteranë të luftës nacional-çlirimtare, si dhe qytetarë të ardhur nga disa qytete të vendit.
Zyrtarët e lartë të vendit kanë bërë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve, për të përkujtuar të gjithë dëshmorët e rënë në luftën për çlirimin e vendit. Ndërkohë pas ceremonisë së homazhe, Rama dhe Meta kanë zhvilluar një takim në Tiranë me veteranët.
Ceremoni të ngjashme janë organizuar në të gjitha qytetet e vendit, ndërsa Bashkia e Tiranës siç edhe është bërë tradite prej shumë vitesh do të organizojë "Natën e Bardhë", e mbushur me disa aktivitete artistike.
Kujtojmë se 72 vite më parë, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazi-fashistë pas një lufte 5 vjeçare.
Ndërsa me rastin e festave të nëntorit, në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar është hapur ekspozita me temë: “104-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”, e cila organizohet si një bashkëpunim i Muzeut Historik Kombëtar me Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë.
Në ekspozitë prezantohen flamuj kombëtarë, bustet e disa prej anëtarëve të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, vula të administratës së kohës, periodikë, materiale etnografike me simbole kombëtare, fotografi origjinale të kohës, libra, etj.