Senada Ibraimova
11 Nëntor 2016•Përditësim: 12 Nëntor 2016
SHKUP (AA) - Në qendrën tregtare Ramstor në Shkup sot u hap panairi “Shija e Maqedonisë”, ku 22 biznese të vogla dhe të mesme nga zonat periferike do t’i shesin produktet e tyre në tre ditët e ardhshme, raporton Anadol Agency (AA).
Panairin e organizojnë 6 grupe aksionare lokale nga Maqedonia rurale, në partneritet me Ramstor, por është e përkrahur edhe nga projekti i USAID-it për ekspansion të bizneseve të vogla dhe të mesme, bashkë me partnerë nga qeveria zvicerane, nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim të Zvicrës.
Në këtë panair, shkupjanët do të kenë mundësi t’i shijojnë ose t’i blejnë produktet e bëra në zonat rurale të Maqedonisë, të cilat nuk janë rregullisht në dispozicion në kryeqytetin e Maqedonisë. Në shtandet janë të ekspozuara ushqime tradicionale dhe organike, mëlmesa, çajra, kozmetikë natyrale dhe veshje.
Edvard Gonzales, Drejtor i Zyrës zhvillimore të USAID në Maqedoni, në fjalimin e tij në mediat tha se ky panair tre ditor është rezultat i bashkëpunimit të USAID-it me më shumë partnerë biznesi nga i gjithë shteti dhe se beson që ngjarjet si kjo do të kontribuojnë në zhvillimin rural në Maqedoni.
“USAID-i ka angazhim të fortë që ti mbeshtesë bizneset e vogla në Maqedoni. E dimë se bizneset e vogla në Maqedoni kanë shumë sfida, por besojmë se vetëm me mbështetje të përhershme mund të sigurohet zhvillimi dhe rritja e tyre”, deklaroi Gonzales.
Zëvendës ambasadori i ambasadës zvicerane në Shkup, Stefan Tomagian në deklaratën e tij theksoi se njerëzit nga zonat rurale nuk i kanë gjithmonë të njëjtat mundësi me njerëzit nga zonat jorurale, siç është Shkupi.
Ai tha se Zvicra fuqishëm beson në mbështetjen e ideve të këtyre njerëzve, të cilat rrjedhin nga vetë ata, dhe se pikërisht për këtë mbështesin formimin e 11 grupeve aksionare lokale në tërë Maqedoninë, për siç tha ai, të identifikohen idetë për mundësi zhvillimi.
“Ky panair është pikërisht një shembull për ide të zhvilluara nga bashkësia lokale, nga zonat rurale, ku produktet cilësore dhe origjinale të bëra në zonat rurale tani më janë në dispozicion për njerëzit në Shkup”, tha Gonzales.
Grupet aksionare lokale janë shoqata qytetare të përbëra nga përfaqësuesit e sektorit publik, privat dhe qytetarë nga 2-4 komuna rurale. Shoqatat janë formuar si pjesë e prezantimit të qasjes "EU Lider" për zhvillim ekonomik lokal në ambientet rurale.
Qëllimi i panairit është ti prezantojë produktet nga këto zona rurale para një publiku më të madh dhe të kontribuojë në zgjerimin e bizneseve të vogla nëpërmjet rritjes së kërkesës për produktet e tyre. Panairi do të zgjasë prej 11 deri më 13 nëntorë.