Sibel Vezaj
27 Mars 2018•Përditësim: 27 Mars 2018
PRISHTINË (AA) - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini sot do të udhëtojë për në Beograd për të biseduar për të ardhmen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Komisioneres Mogherini, Maja Kocijançiç, e cila në një postim në llogarinë e saj në rrjetin social Twitter ka shkruar: “Federica Mogherini në rrugën e saj nga konferenca për Afganistanin në Tashkent, sot pasdite do të ndalet në Beograd për të biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç për të ardhmen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja".
Kjo vizitë vjen pas arrestimit të djeshëm të shefit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriç, pasi ai përkundër asaj që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk dha leje për hyrje, kishte hyrë në Kosovë për të marrë pjesë në një debat për dialogun në Kosovë.
Pas arrestimit të tij nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Gjuriç u dërgua në një stacion policor në Prishtinë. Më pas Policia e Kosovës bazuar në refuzimin e hyrjes në RKS, të njëjtin e dëboi nga territori i Republikës së Kosovës.