Bekim Laci
11 Maj 2017•Përditësim: 12 Maj 2017
SHKUP (AA) - Mbrojtja e të dhënave personale në Maqedoni duhet të jetë në përputhje me direktivën e re të Bashkimit Evropian (BE) për ruajtjen dhe bartjen e të dhënave personale, për çka vendi i cili synon integrimin në BE ka në dispozicion edhe rreth një vit për ta harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Për këtë qëllim, në Shkup po mbahet një konferencë njëditore në të cilën ekspertë nga lëmi i mbrojtjes të të dhënave personale, kompanive vendore dhe institucioneve qeveritare prezantojnë zgjidhjet më të mira, në mënyrë që të harmonizojnë sistemet IT, që të jenë në përputhje me direktivën e re të BE-së.
Siç thonë ekspertët, gjatë këmbimit të të dhënave, kompanitë dhe institucionet shpesh dërgojnë të dhëna personale, të cilat me rregullativën e re do të mbrohen nga vjedhja.
Sekretari i përgjithshëm i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Igor Kuzevski, tha se Drejtoria është duke punuar në drejtim të inkorporimit të Direktivës në legjislacionin vendor, për çka së shpejti do të dërgohet për mendim në BE dhe pasi i njëjti do të marrë dritë jeshile do të dërgohet në qeverinë e Maqedonisë, e cila pastaj do ta procedoj në seancë parlamentare për miratim.
“Ajo që deri tani ka munguar në legjislacionin vendor është vlerësimi i ndikimit të privatësisë, si dhe privatësia sipas standardit adekuat, dhe për ta thjeshtësuar, ndryshe nga tani ku është nevojitur përpunim manual i të dhënave personale. Nga tani e tutje secili softuer do të duhet të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen, ku si rrjedhoje shpërndarja e të dhënave personale do të varet nga ajo sa ne do të japim, që nuk është rast tani”, tha Kuzevski.
Daniel Dimovski nga kompania Nextsense e cila organizoi eventin bashkë me disa kompani tjera për të cilat tha se janë lidere në fushën e sigurisë informatike, u shpreh se kjo konferencë është e rëndësishme sepse siç tha, kompanitë dhe institucionet gjatë këmbimit të informacioneve shpeshherë dërgojnë të dhëna personale, të cilat me rregullativën e re do të mbrohen nga vjedhja.
Davor Kodrinja nga kompania Symantec përgjegjës për Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë tha se rajoni ka filluar të përgatitet për rregullativën e re të Bashkimit Evropian, për çka janë mbajtur konferenca në Serbi, Kroaci dhe Slloveni.
“Njerëzit fillimisht interesoheshin për automatizimin dhe të përgatisin sistemet e tyre të informacionit në mënyrë që sa më thjeshtë të manipulojnë me të dhënat njëkohësisht duke i mbrojtur të njëjtat”, tha Kodrinja.
Ekspertët thonë se vet rregullativa kërkon zgjidhje teknike të cilat do të ndihmojnë në përpilimin e ligjeve për të dhënat personale, prandaj në konferencën e sotme po bëhen prezantimi i më shumë zgjidhjeve të cilat janë në përputhje me rregullativën e BE-së, e cila do të hyj në fuqi në muajin maj të vitit 2018.