BALLKANI

LDK: Sistemi shëndetësor i Kosovës në kolaps

Deputeti i LDK-së dr. Haxhi Avdyli gjatë konferencës për media deklaroi se viti i kaluar për sektorin e shëndetësisë ishte i dështuar, pasiqë kaloi pa reforma ligjore

Zülfiya Yakup   | 11.02.2019
LDK: Sistemi shëndetësor i Kosovës në kolaps ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka thënë sot se shëndetësia në Kosovë tani është në kolaps dhe se gjatë vitit të kaluar Qeveria e Kosovës ka dështuar në këtë sektor, raporton Anadolu Agency (AA).

Deputeti i LDK-së dr. Haxhi Avdyli gjatë konferencës për media deklaroi se viti i kaluar për sektorin e shëndetësisë ishte i dështuar, pasiqë kaloi pa reforma ligjore. Ai tha se projektligji për sigurimin shëndetësor tashmë ishte dashur të diskutohet në Kuvendin e Kosovës, por se ky ligj po zvarritet dhe nuk do të jetë gati para vitit 2021.

Avdyli akuzoi ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili për manipulime me projekte dhe shpërdorimin e fondeve publike.

"Ministri i Shëndetësisë shpesh manipulon opinionin me projektet e realizuara gjatë vitit të kaluar, por nuk tregon se këto projekte kanë filluar shumë më herët dhe se tashmë kanë përfunduar. Ai nuk tregon se si mund që projekti i madh i Qendrës së re Emergjente gjatë vitit 2018 nuk ka filluar, as me investimin më të vogël dhe tani planifikohen disa investime në vitin 2019 dhe njëkohësisht ka pasur disa investime kozmetike në qendrën e vjetër urgjente", tha Avdyli.

Ai theksoi se Ligji për pagat ka shkaktuar pakënaqësi sidomos në mesin e infermierëve, sepse nuk bën dallim në mes atyre që kanë të kryer vetëm shkollën e mesme me ata të cilët kanë përfunduar bachelorin.

"Kjo nuk i stimulon infermierët për shkollim, por për largim nga vendi. Konsiderojmë se nuk është transparente rritja e pagave në Qeverinë e Kosovës si dhe jotransparente është rritja e pagave në SHSKUK-in (shërbimet spitalore dhe klinika universitare në Kosovë), ku administratës i është dyfishuar paga duke tejkaluar edhe pagat e kirurgëve, e cila ka shkaktuar pakënaqësi të madhe tek punonjësit shëndetësorë", tha ai.

Deputeti Naser Rugova vlerësoi se sistemi shëndetësor i Kosovës është në kolaps dhe se ka pasur shpërdorime me fondet publike. Rugova theksoi se edhe pse ministri i Shëndetësisë ka thënë se ka ndaluar korrupsionin duke ndërprerë kontratat e dëmshme disa milionëshe të furnizimit me barna, realiteti është ndryshe.

"Kemi prova faktike të auditimit të kësaj ministrie, se ky ministër dhe stafi i tij ka nënshkruar kontratë për barna për 300 herë më të shtrenjta. Në dokumentin e raportit të auditorit të brendshëm për furnizim të datës 06.02.2019, raportohet për shumë parregullsi në Departamentin e furnizimit të Ministrisë së Shëndetësisë", ka thënë Rugova. Ai gjithashtu i bëri thirrje ministrit të Shëndetësisë të mos publikojë selfie me pacientët në Facebook, duke thënë se kjo është rreptësisht e ndaluar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın