Figen Shaban
07 Janar 2018•Përditësim: 08 Janar 2018
GRAÇANICË (AA) – Sot në Manastirin e Graçanicës është mbajtur liturgjia për festën e Krishtlindjeve të komunitetit ortodoks në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Liturgjia është drejtuar nga Peshkopi serb i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, ku kanë marrë pjesë dhjetëra besimtarë nga komuna e Graçanicës.
Njëra nga besimtaret ortodokse, Jelena Peric, duke folur për AA është shprehur se besimtarët e të gjitha religjioneve në botë duhet të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. "Të jemi të lumtur dhe të na fal Zoti të jetojmë së bashku. Ne jemi serb, po dëshirojmë që të jetojmë më mirë dhe në harmoni me të tjerët, pra me të gjitha religjionet së bashku", tha Peric.
Ndërsa, një tjetër besimtare, Milena Nedeljkovic tha: "Herët në mëngjes kemi patur mysafirë. Pas liturgjisë do t'i vizitojmë familjarët, të afërmit, po ashtu do presim mysafirë edhe ne."
Milanka deklaroi se këtë festë po e pret e vetme sepse familjarët e saj nuk jetojnë në Graçanicë. "Po festojmë sipas mundësive. Festat nuk janë më si më parë. Kam përgatitur ushqim për këtë festë", tha ajo.
Ndryshe, me rastin e Krishtlindjeve ortodokse, në Kosovë është festë zyrtare.
Besimtarët e krishterë ortodoks kanë kremtuar Krishtlindjet edhe në Maqedoni. Në të gjithë tempujt e Kishës Ortodokse të Maqedonisë sot në mëngjes u mbajtën liturgjitë e Krishtlindjeve, ndërsa shënimi qendror është në kishën kryesore “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, ku kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, z.z Stefan, mbajti liturgji. Ndërkohë në Shqipëri besimtarët ortodoks të pakicës malazeze kanë kremtuar Krishtlindjet ortodokse në kishën e Vrakës në Shkodër.