Figen Shaban
16 Shkurt 2018•Përditësim: 16 Shkurt 2018
PRISHTINË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit deklaroi se kryesia ka vendosur që seanca e jashtëzakonshme për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të mbahet të dielën më 18 shkurt, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë, kryeparlamentari Veseli theksoi se pavarësisht interesave dhe kalkulimeve politike të cilat janë jashtë interesave të qytetarëve ka një konsensus të gjerë që çështja për shënimin e kufirit me Malin e Zi të përfundojë.
Ai tha se vendimi i kryesisë është konform kushtetutës, ligjeve të Kosovës dhe konform rregullores së Kuvendit duke theksuar se ata që janë të pakënaqur me këtë vendim mund t'u drejtohen instancave institucionale si Gjykata Kushtetuese.
Veseli theksoi se liberalizimi i vizave do të ndodhë duke shtuar se nuk do të falet asnjë milimetër e territorit të Kosovës.
Ndërsa deputetja nga radhët e partisë Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se kryesia ka shkelur rregulloret e Kuvendit duke vendosur për mbajtjen e kësaj seance në mungesë të kuorumit. Ajo tha se të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje do të jenë konsistent në kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Ajo tha se do t'i kundërshtojë këto çasje apo tendenca "të cilat i falin mbi 8 mijë e 200 hektarë tokë Malit të Zi".
Duke theksuar se e kanë edhe raportin aktual të Komisionit për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi i cili drejtohet nga Shpejtim Bulliqi, Haxhiu tha se "me këtë edhe njëherë është vërtetuar se Kosova humb tokë me këtë marrëveshje".