Figen Shaban
24 Maj 2017•Përditësim: 25 Maj 2017
PRISHTINË (AA) – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Republikës së Kosovës organizoi një panel lidhur me Programin Orientues për Policinë e Kosovës (PK) në kuadër të përgatitjeve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 qershor 2017, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë panel i pranishëm ishte Enis Halimi, Kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Kosovës, Naim Rexha, Zv/Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Laura Pula, Koordinatore Nacionale për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.
Koordinatorja Nacionale për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit Laura Pula gjatë fjalës së saj në këtë panel duke theksuar se Prokurori i Shtetit (PSH) ka për detyrë mbrojtjen e votës së qytetarëve tha se me qëllim të rritjes së nivelit të bashkëpunimit të vëzhdueshëm ndërinstitucional PSH ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me PK-në dhe KQZ-në dhe Panelin Zgjedhor për ankesa dhe parashtresa.
Ajo theksoi se duke u bazuar në këtë memorandum kyeprokurorët e të gjitha rajoneve të Kosovës janë koordinatorët e rajoneve të tyre dhe në këto zgjedhje do të jenë të angazhuar 100 prokurorë kujdestar 24 orë.
Pula po ashtu bëri të ditur se për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet bazuar në planin e veprimit të sistemit prokurorial që mbështetet me parimin se duhet të bëhet arrestimi i të gjithë kryerësve të veprave penale kundër të drejtës së votimit.
Ajo duke vënë në dukje se prokurori i shtetit tashmë ka ndërtuar një sistem dhe praktikë të mirë për një ambient demokratik gjatë zgjedhjeve tha se: "Praktikat e mira të instaluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë për qëllim sigurimin e përgjegjshmërisë së institucioneve të drejtësisë fillimisht për të parandaluar me efikasitet secilin rast që mund të paraqitet para, gjatë dhe pas ditës së votimit".
Duke vënë theksin tek vepra penale e cila cenon përcaktimin e votuesve, Laura Pula tha se kushdo që me përdorim të forcës, kanosjes serioze, apo keqpërdorimit të vartësisë ekonomike, profesionale për votuesit, ndikon apo detyron votuesin e Kosovës që të votojë në mënyrë të caktuar ose të mos votojë në zgjedhje, dënohet prej 1 deri në 5 vite burgim.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i PK-së, Naim Rexha tha se Policia e Kosovës do të bëjë ç’është e mundur për zbatimin e të gjitha obligimeve ligjore dhe kushtetuese që të mundësojë qytetarëve ta shfrytëzojnë të drejtën për shprehje të lirë.
Ai tha se Policia e Kosovës është përgjegjëse për të gjitha fazat pasuese të cilat do t’i zbatojë siç dhe i ka zbatuar më herët me transparencë të plotë, duke respektuar të drejtat e qytetarëve dhe duke zbatuar ligjin me përpikëri.
"Neutraliteti politik, në kuadër të angazhimit gjatë procesit zgjedhor, i cili si i tillë ka ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë tonë, është dhe në favor të PK-së. Për faktin se ndikon në preventivën e shkeljeve të mundshme të individëve të ndryshëm, të cilët eventualisht vijnë në një situatë të tillë, që pretendojnë ta devijojnë ligjin. Neutraliteti i organizatës policore, duhet shpalosur me profesionalizëm të lartë", tha Rexha.
Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, potencoi se siguria është një dimension jashtëzakonisht i rëndësishëm gjatë procesit të zgjedhjeve tha se koordinimi në mes të KQZ-së, PK-së dhe institucioneve të tjera relevante do të ketë rezultate të suksesshme si në zgjedhjet e kaluara.